Sezoni luhet në 180 minuta, Vllaznia përballë së vërtetës. Shkodranët duan konsolidimin në krye
Vllaznia ndodhet në momentin më vendimtar të sezonit, ku e gjithë rrjedha e kampionatit dhe objektivat sezonalë mund të përcaktohen brenda vetëm 180 minutave lojë. Dy ndeshjet e ardhshme kanë peshë të jashtëzakonshme dhe praktikisht përbëjnë një “minisezon” më vete për skuadrën shkodrane.
Më 23 prill, Vllaznia do të përballet me Dinamon në një duel të fortë dhe me rëndësi të madhe për renditjen në Kategorinë Superiore. Një ndeshje që pritet të jetë e luftuar deri në detajin më të vogël, ku çdo gabim mund të rezultojë vendimtar në garën për kreun e tabelës. Të dy ekipet vijnë me objektiva të qarta dhe me nevojën për pikë, duke e bërë këtë përballje edhe më të tensionuar. Vetëm katër ditë më vonë, më 27 prill, Vllaznia zbret sërish në fushë, këtë herë në transfertë ndaj Elbasanit.
Një tjetër sfidë delikate, ku presioni nuk mungon dhe ku çdo pikë mund të peshojë shumë në fund të sezonit. Elbasani, në shtëpinë e tij, pritet të jetë një kundërshtar i fortë, ndërsa Vllaznia duhet të tregojë stabilitet dhe vazhdimësi në një periudhë vendimtare. Në këto 180 minuta, nuk ka më hapësirë për llogari afatgjata apo gabime të kushtueshme. Vllaznia është përballë një prove karakteri, ku qetësia, përqendrimi dhe efikasiteti do të jenë vendimtarë. Rezultatet e këtyre dy ndeshjeve mund të ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në renditjen aktuale, por edhe në objektivin final të sezonit.
KUPA – Vllaznia hyn në një nga momentet më vendimtare të sezonit, me gjithë fokusin e përqendruar te gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Shqipërisë ndaj Dinamos. Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë të luajtur në Tiranë, gjithçka mbetet e hapur për duelin e kthimit në “Loro Boriçi”, aty ku shkodranët do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozërisë për të prerë një biletë drejt finales. Edhe pse në kampionat erdhi një gjysmë hapi fals me barazimin 0-0 ndaj Vorës, kjo nuk duket se ka ndikuar negativisht në moralin e skuadrës.
Përkundrazi, ambienti në radhët e kuqebluve paraqitet i qetë dhe i përqendruar, me të gjithë energjinë e kanalizuar te sfida e Kupës, e cila shihet si një objektiv konkret dhe plotësisht i arritshëm. Stafi teknik ka bërë të qartë se nuk ka vend për shpërqendrim në këtë fazë të sezonit. Menjëherë pas ndeshjes së kampionatit, skuadra është rikthyer në punë, duke zhvilluar edhe të dielën një seancë stërvitore të karakterit rikuperues. Ky detaj tregon seriozitetin maksimal me të cilin po përgatitet kjo përballje, ku çdo element fizik dhe taktik konsiderohet vendimtar.
Nga ana tjetër, grupi duket i bashkuar dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi. Lojtarët kanë lënë pas çdo rezultat të fundit në kampionat dhe janë të fokusuar vetëm te përballja me Dinamon, ku pritet një duel i fortë dhe i luftuar deri në minutën e fundit. Barazimi i parë ka rritur ndjeshëm tensionin sportiv, por edhe motivimin për të dhënë maksimumin në fushë. Në Shkodër besohet fort se Kupa mund të jetë rruga tjetër drejt suksesit këtë sezon. Me një grup të përqendruar, një staf teknik të vendosur dhe një qytet që jeton për futbollin, Vllaznia synon të bëjë hapin e madh drejt finales, duke konfirmuar se mbetet një nga pretendentët kryesorë për trofeun.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













