Sezoni i Tiranës nis në 1 qershor! Pikëpyetje për të gjithë, duke filluar nga trajneri e deri te lojtari i fundit
Tirana e sezonit 2025- 2026 do të marrë jetë nga 1 qershori e në vazhdim.

Nëse skuadra aktuale po stërvitet në kryeqytet, drejtuesi kryesor i bardhebluve nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me trajnerin, lojtarët dhe ata që do të shiten në merkato. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, presidenti Halili deklaroi se për sezonin e ri do të mendojë pas majit. Ai pranoi se skuadra do të vazhdojë punën sipas planit stërvitor dhe në fund të do të analizohet sezoni dhe situata. Pas analizës, do të merret një vendim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Tirana këtë verë do të jetë pushim. Deri më 23 gusht 2025, bardheblutë do të jenë në përgatitjet për sezonin e ri, teksa në verë nuk do të marrin pjesë në Europë. Për Tiranën kjo është mungesë e rëndësishme, pasi jo vetëm që nuk fiton para nga kompeticionet europiane, por, nga ana tjetër, nuk rrit as koeficientin në UEFA. Në fakt, Tirana do të jetë pushim pas dy sezonesh, ndonëse në dy të fundit ka bërë mirë në Europë. Për të gjetur një sezon pa Europë, duhet të kthehemi në 2021- 2022. Tirana e atij kampionati e humbi vendin europian në ndeshjen e fundit ndaj Laçit.
TRAJNERI – Pika e parë e diskutimeve në fund të muajit mbetet e ardhmja e Bledi Shkëmbit. Presidenti Refik Halili duhet të vendosë nëse do të mbajë korçarin apo jo në ekipin bardheblu. Shkëmbi ka edhe një vit kontratë, ndonëse mund të ndodhë që palët të ndajnë rrugët. Për t’u parë mbetet si do të zgjidhet kjo situatë te Tirana. Fakt është se Refik Halili brenda dy sezonesh ka ndryshuar 6 herë stolin, duke sjellë pesë emra të rinj.
LOJTARËT – Maji do të sqarojë edhe një situatë tjetër: atë të lojtarëve. Presidenti, drejtori dhe trajneri do të vlerësojnë se cilët futbollistë do të qëndrojnë dhe cilët do të largohen nga grupi aktual. Edhe pse presidenti Refik Halili ka deklaruar se do të mbajë gjithë grupin, gjasat janë që skuadra do të ndryshojë shumë në të ardhmen. Do të ketë largime pa kthim, si spastrime. Për t’u parë janë edhe emrat që janë në tavolinën e bisedimeve. Të tjerë do të largohen prej klubit dhe janë ata futbollistët që do të shiten. Drejtuesit duan të mbajnë boshtin e skuadrës, ndërsa pjesës tjetër do t’i ofrohet një largim me marrëveshje apo zgjidhje alternative.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













