Ruzgis kthehet në stërvitje dhe Hasaj drejt… operacionit, si paraqitet gjendja e lojtarëve te Vora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2025 | 20:18

Ruzgis kthehet në stërvitje dhe Hasaj drejt… operacionit, si paraqitet gjendja e lojtarëve te Vora

Pas pushimit të së dielës, Vora iu rikthye dje pasdite përgatitjeve për takimin e radhës, që do të zhvillohet të dielën në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

vora

Për këtë sfidë, vorakët kanë në dispozicion një javë të plotë përgatitjeje. Seanca e parë e javës ishte me ngarkesë të lartë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik, duke zgjatur 90 minuta. Ashtu si në sfidat ndaj Partizanit dhe Tiranës, Vora nuk do të ketë në dispozicion dy nga titullarët më të rëndësishëm, Manfredas Ruzgis dhe Françesko Hasaj, të cilët janë jashtë fushave për shkak dëmtimesh të rënda që i goditën që në nisje të kampionatit.

RUZGIS NË STËRVITJE – Risia e djeshme ishte rikthimi në stërvitje i gjermano-lituanezit Ruzgis, i cili po përmirësohet dita-ditës dhe pritet të rikthehet së shpejti edhe në fushë. Për momentin, ai po kryen stërvitje të diferencuar nën kujdesin e stafit mjekësor, që po bën maksimumin për rikuperimin e tij. Së bashku me të, në këtë program individual ishin edhe Françesko Hasaj, Mario Barjamaj dhe kapiteni Xhuljo Tabaku, të gjithë të dëmtuar dhe të pamundur për ndeshjen e radhës. Ruzgis u shpreh me humor para stërvitjes.

“Do të jem shumë shpejt gati. Më duhen edhe disa javë, të paktën 3-4, për t’u rikthyer në fushë. Më vjen keq për këtë dëmtim, ishte risku im. Ndoshta e ka pasur syrin e keq drejtori, Bazioni”, tha ai duke qeshur. Sulmuesi shtoi se ndihet keq që humbi mundësinë të ishte pjesë e kombëtares në dy ndeshjet eliminatore të Botërorit, por shpreson që rikuperimi të përfundojë sa më shpejt. “Dua të falënderoj të dy mjekët e skuadrës që kanë bërë të mundur këtë rikuperim të shpejtë”, tha Ruzgis.

FRANÇESKO HASAJ – Mesfushori mbeti i dëmtuar rëndë në ndeshjen hapëse kundër Partizanit, duke dalë nga fusha me barrelë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve Kejdi Ndoja dhe Glendi Dajsinani për ta rikuperuar, lojtari vorak duket se do të duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Shumë shpejt, brenda kësaj jave, pritet të vendoset për operacionin e tij.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL