Ruzgis bën heroin për Vorën ndaj Valbonës. Bellai: Kështu ngjitesh në Superiore. Kërnaja: Këto sfida i zgjidh cilësia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2025 | 12:46

Ruzgis bën heroin për Vorën ndaj Valbonës. Bellai: Kështu ngjitesh në Superiore. Kërnaja: Këto sfida i zgjidh cilësia

Vora ka arritur një fitore të vështirë në transfertë me Valbonën, në mes të tensionit gjatë kohës shtesë. Gjyqtari akordoi 8 minuta të tilla, kohë kur erdhi edhe goli i shënuar nga Ruzgis, që i dhuroi vorakëve tri pikët e radhës.

valbona vora

Kanë bërë një rezistencë të madhe tropojanët, që vinin këtë herë edhe me trajner të ri. Një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, me sulme dhe kundërsulme, pavarësisht se deri në minutat shtesë nuk u shënua asnjë gol. Gjatë takimit pati tension, që u shoqërua edhe me dy kartonë të kuq të akorduar nga gjyqtari kryesor nga Shkodra Indrit Myrta.

Ndeshja

Takimi nisi me ritëm dhe në minutën e 28-ë Vorën e shpëton traversa, ndërsa me një goditje të bukur nga 20 metra, Laval i afrohet shumë pranë golit të avantazhit. Më pas, dy herë skuadra e Vorës tenton me Ruzgis dhe Kasalla, por gjuajtjet e tyre zhvlerësohen nga portieri i ri brazilian, Domit. Në minutën e 43-të Vora pretendon një 11-metërsh pasi portieri Domit shkakton faull në vijën e 16-metrave. Por, gjyqtari Myrta ishte fare pranë aksionit dhe akordon faull për Vorën. Fraksioni i dytë për më shumë se 25 minuta ka presion. Ruzgis në të 53-tën, në të 61-n Ntepe e më pas, në të 68-tën Tabaku gjuajnë rrezikshëm, por ngjitur me shtyllat pingule. Më pas loja nis të tensionohet dhe ka një përplasje në minutat e fundit. Në stol ka një përplasje mes Rushitit të Vorës dhe Ueslit për Valbonën, që ndëshkohen të dy me karton të kuq. Skuadrat e mbyllin me 10-të lojtarë. Në të 94-t një krosim prefekt nga Lika dhe Ruzgis që përfiton nga një gabim i mbrojtjes dhe shënon golin e artë me vlerën e 3 pikëve. Vorakët vijojnë të ruajnë kreun në Kategorinë e Parë.

VALBONA – VORA 0-1

GOLI: Ruzgis 90+4′

VALBONA: Domit, Doçi, Lala, Artur, Zeqiraj, Mateli, Aluku, Laval (Kamil 88′) Llanaj, Uesli, Vidrica (Taka 72′); (Në dispozicion: Hoxha, Mashi, Xhabafti, Farruku. Trajner: Oltion Kërnaja

VORA: Ruçi, Ismaili, Imami, Shehi, Vrapi, Abaku, Aneni (Dalipi 68′), Ntepe (Skënderi 78′), Barjamaj (Geci 79′), Kasalla (Lika 88′), Ruzgis; (Në dispozicion: Jata, Marinaj. Trajner: Arian Bellai.

KARTONË TË VERDHË: Domit 42′, Llanaj 45′ Lala 90′, Mateli 90′ / Lika 90’+6′, Ruçi 90+7′

KARTONË TË KUQ: Uesli 88′ / Rushit 88′, Tragaj 90+5′ (në pankinë)

GJYQTARË: I. Myrta, S. Hysejni (Shkodër), M. Shazivari (Tiranë)

VËZHGUES: Sabri Kalleshi (Shijak)

DELEGAT: Gëzim Gaçi (Tiranë)

Arian Bellai

 “U munduam, por kështu ngjitesh në Superiore”

Bellai dhe Zjarri

Pas fitores së vlefshme me Valbonën në limite, trajneri i Vorës Arian Bellai për gazetën u shpreh: “Tropoja është një fushë e vështirë edhe për ekipet e tjera. Ne provuam edhe në fazën e dytë kur fituam 4-3. Lojën e patëm në zotërim, por nuk arritëm të shënojmë në 3-4 raste që patëm në pjesën e parë. Pastaj Valbona mori pak besim te vetja, luajti mirë, na mundoi shumë. Gjithsesi, në fund arritëm të shënonim gol me Ruzgis dhe morëm trepikëshin, që është shumë i çmuar për ne, pasi kemi rrugë përpara dhe nuk duhet të humbasim asnjë ndeshje.

Vetëm kështu arrihet qëllimi, që në fund të jemi ne ata që do të gëzojmë ngjitjen në Superiore dhe për kampionatin në përgjithësi. Nëse djemtë do të jenë me “këmbë në tokë” dhe të mbrojmë mirë siç kemi karakteristikën si ekip dhe gjithmonë kemi shënuar, objektivin e arrijmë para se të shkojmë te ndeshja e fundit. Duhet kujdes ndaj çdo kundërshtari, pasi të gjithë luajnë futboll dhe kanë aftësi për të shënuar gol. Vetëm kur matematikisht të jemi, do të them se Vora është në Superiore, jo tani. Ndaj pa eufori, të punojmë fort dhe të përmirësohemi”, tha Bellai.

Debutimi

 Kërnaja: Këto sfida i zgjidh cilësia

oltion kernaja

Valbona u mposht në minutat shtesë nga Vora kryesuese. Në përfundim të ndeshjes, foli edhe trajneri i sapoafruar i tropojanëve, Oltion Kërnaja: “Jam shumë i kënaqur me atë që dhanë çunat në fushën e lojës. Zbatuan detyrat dhe fituan çdo dyluftim, por këto ndeshje zgjidhen me cilësi, të cilat Vora i ka më të shumta se Valbona. Nga një gabim i qendërmbrojtësit tonë dhe ndeshja përfundoi 1-0 për miqtë. Vorës i uroj suksese në Superiore, ndërsa ne do të bëjmë detyrën tonë.

Debutimi si trajner i Valbonës? Kur kam ardhur u kam thënë dy fjalë lojtarëve: Do të bëjmë detyrat drejt dhe gjërat siç duhet, pastaj qëndrojmë apo nuk qëndrojmë në Kategorinë e Parë, është muhabet tjetër. Them kështu, pasi janë gabime të së kaluarës dhe jo të tashmes. Mbijetesa nuk dihet, pasi ndeshjet direkte do të luhen. Ne do të hyjmë në çdo ndeshje për fitore dhe do të tentojmë deri në fund për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Shpresoj të bëjmë kthesën në dy javët e ardhshme, ku kemi ndeshje direkte për këtë qëllim”, thotë pas ndeshjes trajneri Oltion Kërnaja.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL