Rrogozhina në këmbë, “o sot, o kurrë” për suksesin në Europë
Sot në mbrëmje, ora 21:00, “Arena Egnatia” do të jetë epiqendra e futbollit shqiptar dhe skena e një ëndrre që sapo nis të shkruhet. Egnatia pret Breidablik në sfidën e parë të turit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Një përballje historike për kampionët e Shqipërisë, që kanë shansin të bëjnë hapin e parë drejt një rruge të gjatë dhe të vështirë, por jo të pamundur: rrugës që të çon deri në fazën e grupeve të Konferencë League.

Ky nuk është thjesht një takim futbolli, por një betejë me shumë dimensione. Është testi i parë serioz ndërkombëtar për një skuadër që vitin e shkuar ngriti lart trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Është prova që do të tregojë nëse kjo Egnatia ka vërtet fizikun dhe karakterin për të qëndruar edhe përtej kufijve. Kundërshtari, Breidablik, nuk është pa përvojë. Islandezët janë një skuadër e rregullt, me ritëm të lartë dhe disiplinë taktike, që i kanë krijuar gjithmonë probleme kundërshtarëve të tyre.
Por, Egnatia hyn në këtë ndeshje me një armë të fortë: unitetin. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova ka qëndruar kompakte gjatë verës, me boshtin kryesor të sezonit të kaluar të paprekur dhe me disa afrime që i japin më shumë thellësi formacionit. Qasja e Tetovës është e qartë: presing i lartë, zotërim topi dhe kontroll i ritmit që nga minuta e parë. Ndeshja e sotme nuk përcakton vetëm fatin në Ligën e Kampioneve. Ajo përcakton edhe vijimin e rrugëtimit europian, pasi edhe në rast eliminimi, skuadra bie në rrugën kualifikuese të Konferencë Ligë.
Por që të mbetet e gjallë ëndrra për të shkuar deri në fazën e grupeve, që do të ishte arritje historike për Egnatian, duhet filluar me këmbën e mbarë. Dhe për këtë, Rrogozhina është gati. Me stadiumin që pritet të jetë i mbushur deri në kapacitetin maksimal prej afro 5 mijë tifozësh, mbështetja do të jetë e zjarrtë. Entuziazmi në qytet ka nisur prej ditësh dhe Egnatia e ndien në shpinë frymën e gjithë komunitetit. “O sot, o kurrë” nuk është më një klishe, por një thirrje e vërtetë për histori. Sepse nëse ka një moment për të nisur të shkruash kapitullin europian të një klubi të vogël, por ambicioz, ai moment është pikërisht ky.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













