Rregullat e reja të Bordin, Tirana nën “disiplinën e hekurt”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 8:49

Rregullat e reja të Bordin, Tirana nën “disiplinën e hekurt”

Roberto Bordin nuk ka humbur kohë. Me të marrë drejtimin e Tiranës, trajneri italian ka vendosur një “kod sjelljeje” të ri, duke i treguar lojtarëve se periudha e komoditetit ka marrë fund.bordinPër Bordin, suksesi nuk vjen rastësisht, por ndërtohet mbi punë, disiplinë dhe respekt. Në ditët e para të stërvitjes, ai ka paraqitur një listë rregullash të qarta, të cilat synojnë ta kthejnë skuadrën bardheblu në një grup më të përqendruar dhe profesionist.

STËRVITJA PARADITE – Seancat stërvitore zhvillohen paradite, një risi për shumicën e lojtarëve që deri tani ishin mësuar me orare të tjera. Për Bordin, ky është momenti ideal ku trupi dhe mendja janë më të freskëta. “Në mëngjes, lojtari është më i kthjellët, energjia është maksimale dhe mund të punosh me intensitet të lartë,” ka theksuar italiani.

NJË ORË MË HERËT – Disiplina fillon që përpara stërvitjes. Lojtarët duhet të jenë në kompleks të paktën një orë më herët. Kjo kohë përdoret për ngrohje, përgatitje fizike, rikuperim, por edhe për të hyrë gradualisht në atmosferën e punës. Asnjë vonesë, asnjë mungesë serioziteti nuk tolerohet.

ANALIZA – Çdo takim është një mësim. Pas ndeshjes, skuadra grumbullohet në sallën e analizës ku çdo detaj merret në shqyrtim: lëvizjet, vendosjet taktike, gabimet individuale apo kolektive. Bordin nuk lë asgjë rastësore dhe kërkon që lojtarët të kuptojnë se gabimet duhen korrigjuar menjëherë.

VONESAT – Një nga pikat më të forta të rregullores është zero toleranca ndaj vonesave. Për Bordin, respekti fillon nga ora. Kushdo që nuk respekton afatet, jo vetëm që cenon punën e skuadrës, por tregon mungesë profesionalizmi. Në futbollin modern, këto detaje bëjnë diferencën.

TAKIME “KOKË MË KOKË” –Italiani nuk kufizohet vetëm te puna me grupin. Ai ka vendosur të zhvillojë edhe takime individuale me lojtarët. Qëllimi është i qartë. Të njohë më mirë personalitetin e secilit, të kuptojë gjendjen psikologjike dhe të ndërtojë marrëdhënie të forta besimi. Kjo metodë e bën lojtarin të ndihet më i vlerësuar dhe përgjegjës ndaj rolit të tij në skuadër.

INTENSITET MAKSIMAL – Çdo minutë në fushë duhet të shfrytëzohet. Stërvitjet e Bordin janë dinamike, pa pushime të panevojshme, me ritëm të lartë. Ai kërkon që lojtarët të japin gjithçka në çdo seancë, ashtu siç do të ndodhë në ndeshje. Vetëm kështu, sipas tij, skuadra do të arrijë të përmirësohet dhe të rivalizojë për tituj.

MENTALITET I RI – Me këtë qasje, Bordin ka sjellë në kryeqytet një frymë të re, profesionalizëm total. Tirana, që shpesh është kritikuar për mungesë stabiliteti dhe shpërqendrime, tashmë po mësohet të jetojë nën një regjim strikt, ku çdo detaj ka rëndësi. Nëse lojtarët do të adaptohen dhe do të ndjekin me përpikëri këto rregulla, mbetet për t’u parë në fushë. Por një gjë është e sigurt. Tirana e Bordin nuk do të tolerojë më asgjë jashtë disiplinës.

FDS

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL