Risku i të kuqve dhe “fatura” e trajnerit, humbja në derbi është më e thella e Gegës në stolin e Partizanit
Trajneri Skënder Gega ka marrë përsipër një barrë shumë të rëndë. Vetëm pak ndeshje nga mbyllja e sezonit, ai vendosi t’i kthehet trajningut pas një pauze të gjatë dhe të marrë drejtimin e një skuadre në krizë totale, që po nis gjithçka nga e para në mesin e sezonit.
Trajneri Gega nuk mund të bëjë asnjë ndërhyrje, por me këto forca që ka, i duhet të shpëtojë një sezon, që është në buzë të greminës. Emri i tij i madh dhe “hija e rëndë” që i ka lënë titulli kampion i fituar në vitin 2019, bën që e gjithë vëmendja e suksesit, por edhe dështimit, të spostohet tek ai. Një lëvizje e guximshme e Gegës, që nisi mbarë me dy fitore radhazi, por më pas erdhi humbja e dhimbshme e derbit kundër Tiranës me shifrat 3- 0, më e thella në rrugëtimin e prej 47 ndeshjesh të tropojanit me Partizanin.
Ajo ndeshje ka vënë edhe një herë në dyshim objektivin e Partizanit, që është fillimisht pjesëmarrja në “Final 4”. Elbasani është vetëm 1 pikë larg kur kanë mbetur edhe tri javë dhe njëra prej betejave është pikërisht kundër verdhebluve. Deri në janar, Partizani ishte në krye, por me kalimin e muajve gjërat janë komplikuar, deri për të ardhur në këtë pikë. Gjithsesi, të kuqtë mbeten në lojë dhe gjithçka e kanë në dorën e tyre.
PANORAMASPORT.AL













