Rinovimi, Zejnullai “streson” Egnatian. 26-vjeçari gjendet mes dy “zjarreve”
Përpara se Egnatia të mendojë për afrimet që do të bëjë në merkato, duhet të rikonfirmojë lojtarët aktualë.
Siç dihet, disa prej tyre janë në skadencë kontrate, ku veçohet Albano Aleksi, Arbin Zejnullai dhe Edison Ndreca, të cilët kanë qenë titullarë të padiskutueshëm për kampionët që drejtohen nga Edlir Tetova. Për Renato Malotën është duke u menduar një post drejtuesi, ndaj nuk pritet që të ketë bisedime për rinovimin e kontratës. Gjithsesi, duket se “operacioni” i rinovimeve po rezulton më i vështirë nga sa mendohej, me rrogozhinasit që nuk kanë rikonfirmuar asnjë, ndonëse fillimisht u mendua se do të ishte një formalitet.
ZEJNULLAI – Burime të “Panorama Sport” pranë klubit kampion pohojnë se për momentin ngërçi më i madh është me mesfushorin Arbin Zejnullai. Mësohet se klubi i ka ofruar rinovim kontrate 26-vjeçarit, por ky i fundit ende nuk është bindur. Sipas burimeve, problemi për momentin qëndron te termat financiarë, me lojtarin që kërkon një rritje të ndjeshme të pagës në krahasim nga ajo që ka marrë përgjatë këtyre tri viteve tek kampionët e Superiores.
Nga ana tjetër, rrogozhinasit nuk duan të bëjnë një sforco të madhe, ndaj edhe rinovimi po mbetet pezull. Mësohet se këto ditë do të jenë vendimtare, sepse Tetova do të nisë punën me skuadrën për kupat e Europës dhe grupi që do të nisë stërvitjen duhet të jetë i gatshëm për të luajtur. Kujtojmë se shqiptari i Maqedonisë së Veriut ka milituar për tri sezone radhazi me Egnatian dhe është një nga veteranët e saj. Madje, Zejnullai është lojtari me më shumë prezenca në epokën “Demrozi”, me 133 ndeshje në total, ku edhe ka arritur të shënojë 12 gola.
DINAMO E JOSH – Duke parë ngërçin që po has Egnatia me Zejnullain, nga kjo situatë pritet të përfitojë Dinamo. Mësohet se blutë janë hedhur në sulm për të marrë shërbimet e 26-vjeçarit dhe janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat ekonomike të tij. Burimet pohojnë se kontaktet mes palëve nuk kanë munguar dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që në fund ai të zbarkojë në kryeqytet. Mesa duket, Ilir Daja e sheh një lojtar të rëndësishëm në fazën ofensive, për më tepër që duket se Baton Zabërgja është drejt largimit. Zejnullai shihet si zëvendësuesi i tij ideal që nuk e ka të vështirë përshtatjen, sepse e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar dhe për më tepër vjen me disa trofe mbi supe. Më herët u përfol edhe për një interesim të Tiranës, por mbetet për t’u parë, duke qenë se në lojë kanë hyrë edhe fituesit e Kupës së Shqipërisë, të cilët janë ndër ekipet që kanë luksin të plotësojnë edhe kërkesat financiare të lojtarëve.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













