Rikthim në Superiore pa festë te Flamurtari. Trajneri Garsia mbledh skuadrën, ish-lojtari i Realit reagon pas autogolit
Hoze Rodriguez Martinez reagon për autogoli që i shkaktoi Flamurtarit në ndeshjen me Elbasanin, duke bërë një nisje të keqe dhe larg pritshmërive të mëdha që kishin në startin e këtij kampionati pas rikthimit pas pesë vitesh në Superiore. Ish-lojtari i Realit duket se ka vendosur që të bëjë autokritikë vetëm 24 orë, pasi kuqezinjtë humbën.

Në një kohë që tifozët prisnin ndoshta edhe një falje nga Rodrigues si lojtar profesionist për atë gafë që kushtoi shtrenjtë, spanjolli nuk e ka bërë këtë veprim. Por 30- vjeçari ka kërkuar më shumë durim, pasi sipas tij me punë do të vijnë edhe gjërat e mira. Reagimin Rodriguez e ka bërë në rrjetet e tij sociale. “Gjërat e mira vijnë me durim dhe punë”, është shprehur shkurtimisht “ish “ylli” i Real Madridit.
Hoze Rodriguez erdhi në Vlorë si një blerje e bujshme e merkatos së kësaj vere. Por fatkeqësisht të shtunën në minutën e 35-të të takimit në Elbasan ai shkaktoi autogol, një episod që me shumë mundësi do të mbahet mend gjatë. Rodriguez ktheu një top të gabuar drejt portierit, që kishte dalë shumë nga zona, duke dërguar sferën drejt e në rrjetën bosh. Ky autogol shokoi pankinën vlonjate, por vendosi edhe fatin e takimit.
TAKIMI ME SKUADRËN – Pas humbjes në Elbasan, “Panorama Sport”, zbulon se trajneri Karlos Garsia ka zhvilluar një mbledhje me skuadrën ku ka kërkuar reagim të menjëhershëm duke nisur nga ndeshja e kësaj të shtune me Bylisin në Vlorë. Nuk ka preferuar që të vendosë me “shpatulla pas murit”, asnjë futbollist me emër të përveçëm por reflektim nga i gjithë grupi. “Nuk e nisëm mirë kampionatin dhe i kishim të gjitha mundësitë për të bërë më mirë. Kishim raste, por bëmë edhe gabime. Është shumë e rëndësishme që të reagojmë. Jemi duke u konsoliduar dhe do të vazhdojmë punën tonë për të bërë më të mirën në vijim. Duhet të përmirësohemi si nga gjendja fizike ashtu edhe nga ajo taktikoteknike. Kam besim në reagimin tuaj”, mësohet është shprehur trajneri spanjoll.
TIFOZËT TË ZHGËNJYER – Tifozët nuk e kanë pritur aspak mirë humbjen e Flamurtarit që në ndeshjen e parë të kampionatit. Në faqen zyrtare të klubit në “Facebook” ata kanë shpërthyer duke kritikuar lojën e futbollistëve në fushë por edhe punën e trajnerit Karlos Garsia. Nga ana tjetër ka pasur edhe nga ata që kanë qenë optimist dhe që mendojnë se skuadra kërkon ende kohë. Nga ana tjetër pas humbjes me autogolin e spanjollit Rodriguez ka pasur edhe një reagim të klubit që mesa duket kërkon amortizimin e situatës. “Forca Flamurtari, bashkë vazhdojmë më të fortë”, ka shkruar shkurtimisht klubi vlonjat në rrjetet sociale.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













