Rikthehet Dumbia, hapësira edhe për Kolën e Tomën në sulm. Si pritet të rreshtohet Partizani ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2026 | 9:38

Rikthehet Dumbia, hapësira edhe për Kolën e Tomën në sulm. Si pritet të rreshtohet Partizani ndaj Egnatias

Partizani kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive në përballjen ndaj Egnatias, në një moment ku skuadra po kalon një periudhë të vështirë dhe ende nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje në këtë fazë të katërt të sezonit.

partizani

Të kuqtë janë të detyruar të reagojnë, ndërsa sfida në transfertë shihet si një mundësi për të kthyer kthesën dhe për të mbajtur gjallë objektivat. Sa i takon formacionit, pritet që trajneri i përkohshëm të bëjë disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit. Reparti i mbrojtjes do të pësojë lëvizje, ku Bytyçi pritet të rikthehet në qendër, duke i lënë hapësirë aktivizimit të Kolës në krahun e djathtë.

Në këtë mënyrë, katërshja e prapavijës pritet të kompletohet me Sembene dhe Atanaskoski, duke synuar më shumë stabilitet dhe siguri në një repart që ka shfaqur probleme në ndeshjet e fundit. Ndryshimet në mbrojtje konsiderohen të domosdoshme për të përmirësuar balancat e skuadrës. Edhe në mesfushë priten lëvizje të rëndësishme, ku rikthimi i Dumbias është një lajm pozitiv për të kuqtë. Mesfushori pritet të marrë minuta nga fillimi, duke formuar një treshe së bashku me Hjumën dhe Ismailin.

Kjo treshe synon të japë më shumë forcë fizike dhe kontroll në mesin e fushës, një element që ka munguar në ndeshjet e fundit. Ndërkohë, alternativa nga stoli do të jenë lojtarë si Qaka dhe Murataj, të cilët mund të japin kontribut gjatë ndeshjes.

Në repartin ofensiv, Partizani pritet të mbështetet te treshja Sidibe, Isgandarli dhe Toma, me këtë të fundit që shihet si favorit për të nisur nga minuta e parë në qendër të sulmit. Kjo zgjedhje lë në stol Diego Kontreras, i cili mbetet një opsion i rëndësishëm për pjesën e dytë të takimit.

Sulmi pritet të ketë rol kyç në këtë sfidë, duke qenë se skuadra ka nevojë urgjente për gola dhe rezultat. Ndryshimet në formacion reflektojnë edhe përpjekjen e stafit teknik për të shkundur skuadrën e për ta kthyer te rezultatet pozitive, në një ndeshje që konsiderohet vendimtare për vazhdimësinë e sezonit.9

PANORAMASPORT.AL