Rikthehet dominimi në Superiore, Egnatia në gjurmët e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2025 | 14:04

Rikthehet dominimi në Superiore, Egnatia në gjurmët e Skënderbeut

Egnatia ka arritur të shkruajë historinë në futbollin shqiptar, duke fituar për të dytin vit radhazi titullin kampion në Superiore.egnatiaKjo është një arritje e jashtëzakonshme për klubin që vetëm pak vite më parë garonte në nivelet më të ulëta të futbollit shqiptar. Pas triumfit të sezonit të kaluar, shumëkush e konsideronte Egnatian si një “kampione surprizë”, por sezoni aktual tregoi të kundërtën.

Skuadra e drejtuar me profesionalizëm dhe vazhdimësi, arriti të ruajë stabilitetin dhe nivelin e lartë të lojës, duke mposhtur rivalë të fortë dhe duke mbrojtur me sukses titullin. Për herë të fundit, një skuadër shqiptare kishte arritur të mbronte titullin kampion në sezonin 2015-2016, kur Skënderbeu i Korçës dominoi kampionatin për disa vite me radhë. Pas asaj periudhe, kampionati shqiptar u karakterizua nga konkurrencë e lartë dhe ndërrim i vazhdueshëm i fituesve, me ekipe të ndryshme që fitonin titullin çdo vit.

Egnatia, jo vetëm që ka thyer këtë “rregull”, por ka dëshmuar se suksesi i vitit të kaluar nuk ishte i rastësishëm. Me një filozofi të qartë loje, me investime të kujdesshme dhe një grup të konsoliduar lojtarësh, klubi i Rrogozhinës është kthyer në një model të ri suksesi për futbollin shqiptar. Ky titull, i dyti radhazi, e vendos Egnatian në një nivel të ri, jo vetëm historikisht, por edhe në perceptimin e publikut, të cilët tani e shohin si një prej forcave të qëndrueshme të elitës së futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL