Rikthehen Sota dhe Xhemajli, Tetova blindon mbrojtjen e Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2026 | 9:10

Rikthehen Sota dhe Xhemajli, Tetova blindon mbrojtjen e Egnatias

Egnatia vjen më e karikuar se kurrë për të dalë me një fitore nga ndeshja e së dielës me Tiranën në shtëpi.

tetova

Një përballje që vlen shumë më tepër se tri pikë, pasi lidhet drejtpërdrejt me vendin e parë në renditje. Çdo rezultat negativ për rrogozhinasit do të sillte humbjen e fronit, ndaj në kampin e kampionëve kjo sfidë shihet si një “finale” e parakohshme, ku gabimet nuk lejohen.

Pikërisht për këtë arsye, tek Egnatia janë të vendosur që kjo mundësi të mos u rrëshqasë nga duart, sidomos duke pasur përballë skuadrën e vendit të fundit në klasifikim. Në letër, diferencat mes dy ekipeve janë të mëdha, por në fushë verdheblutë janë të ndërgjegjshëm se ndeshje të tilla fshehin gjithmonë rreziqe. Tirana, edhe pse në një sezon të vështirë, mbetet një emër me peshë dhe me lojtarë që mund të ndëshkojnë në çdo moment.

ATMOSFERA – Situata në ekip paraqitet e qetë dhe pozitive. Trajneri Edlir Tetova është përpjekur që gjatë ditëve të fundit t’i japë skuadrës direktivat e fundit, duke u fokusuar si tek aspekti taktik, ashtu edhe tek përgatitja psikologjike. Stafi teknik ka kërkuar përqendrim maksimal dhe hyrje agresive në ndeshje, për të mos i dhënë kundërshtarit hapësira apo besim. Lajmi i mirë për kampionët është se nuk pritet të ketë asnjë mungesë për këtë përballje. Nuk raportohet për lojtarë të pezulluar nga kartonët dhe, për më tepër, situata me dëmtimet paraqitet mjaft e mirë.

Kjo i jep Tetovës mundësinë që të ketë në dispozicion gjithë organikën dhe të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm, pa u kushtëzuar nga mungesat. Në mbrojtje, një risi e mundshme është rikthimi i Eljon Sotës. Mbrojtësi, i cili ende nuk ka bërë debutimin e tij këtë vit, raportohet se është bashkuar plotësisht me grupin dhe ka zhvilluar një seancë normale stërvitore. Kjo do të thotë se ai mund të jetë një alternativë reale, qoftë nga minuta e parë, qoftë si zgjidhje gjatë lojës. Nga ana tjetër, Arbenit Xhemajli ka shlyer dënimin prej një jave për shkak kartonësh dhe tashmë është i gatshëm. Mbetet për t’u parë nëse trajneri do t’i besojë menjëherë minuta të plota rikthimit të dyshes kryesore të qendrës së mbrojtjes, duke pasur parasysh se deri më tani kampionët kanë hasur jo pak vështirësi në këtë repart, sidomos në momente të caktuara të ndeshjeve.

Në repartet e tjera, konkurrenca është e fortë dhe kjo ka rritur nivelin e skuadrës gjatë javës. Mesfusha dhe sulmi pritet të jenë armët kryesore të Egnatias, e cila synon ta zgjidhë ndeshjen sa më shpejt dhe të administrojë avantazhin pa stres deri në fund. Egnatia kërkon fitoren jo vetëm për të ruajtur vendin e parë, por edhe për të dhënë një sinjal force ndaj rivalëve direktë në garën për titull. Një sukses ndaj Tiranës do të ishte konfirmim i ambicieve dhe vazhdimësi e ecurisë pozitive, ndërsa çdo hap fals do ta komplikonte ndjeshëm situatën në krye të renditjes. Pikërisht për këtë arsye, e diela shihet si një provë karakteri për kampionët në fuqi.G

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL