“Fanellën tonë me numrin 10 do t’ia dhurojmë Mesit”, surprizon presidenti i Kepit të Gjelbër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2026 | 23:31

“Fanellën tonë me numrin 10 do t’ia dhurojmë Mesit”, surprizon presidenti i Kepit të Gjelbër

“Lionel Mesi është një nga idhujt e mi, si për miliona njerëz në mbarë Botën. Do t’i dhurojmë një fanellë të kombëtares sonë me numrin 10 dhe emrin e tij. Do të jetë një vlerësim për lojtarin më të mirë në botë.”

MESI HOZE MARIA NEVESH

Kështu ka njoftuar dje presidenti i Kepit të Gjelbër, Hoze Maria Nevesh, një ditë para ndeshjes mes kombëtares së ishullit afrikan dhe “Seleçion” argjentinase. Pavarësisht admirimit për Mesin, Nevesh ka siguruar se skuadra e tij, “Peshkaqenët Blu”, do të japë maksimumin në fushë. “Jemi shumë krenarë për paraqitjen e Peshkaqenëve Blu në Botëror.

Kualifikimi ynë është tashmë një arritje e madhe. Në këtë Kupë Bote kemi përballuar kampionë si Spanja dhe Uruguaji, dhe tani do të përballemi me një tjetër kampion të madh, Argjentinën. Do të përpiqemi të japim maksimumin në fushë”, deklaroi ai. Ky nuk është rasti i parë që delegacioni i Kepit të Gjelbër bën gjeste të tilla në këtë Botëror.

Pak para fillimit të ndeshjes me Uruguajin e Marcelo Bielsa-s, trajneri i skuadrës afrikane, Pedro Leitao Brito, u pa nga kamerat duke i dhuruar një homazh “El Loco”-s. “Bielsa për mua është një mjeshtër. Si shumë trajnerë të tjerë, kam studiuar shumë atë që ka bërë gjatë karrierës së tij”, tha ai pas barazimit surprizë 2-2, duke shpjeguar se dhurata (një pergamenë dhe një flamur i vogël) përfaqësonin simbole të vendit të tij.

PANORAMASPORT.AL