Irankunda, nga kampi i refugjatëve te skena e Botërorit/ Krenaria e komunitetit burundez në Australi
Një gol në Kupën e Botës ka fuqinë të emocionojë një komb të tërë, por për komunitetin burundez në Australinë e Jugut ai kishte një domethënie edhe më të veçantë.

Kur Nestorj Irankunda shënoi golin e parë të Australisë në fitoren ndaj Turqisë më 14 qershor, ai nuk festoi vetëm me “Soçeroos”, por edhe me qindra familje që e kanë parë të rritet. 20-vjeçari, i lindur në Tanzani nga prindër refugjatë burundezë, u bë simbol krenarie për komunitetin e tij në Adelaide, ku jetojnë rreth 1.000 familje me origjinë nga Burundi.
“U hodhëm nga divani dhe vraponim nga gëzimi”
Xhoel Hakizimana, një nga drejtuesit e komunitetit burundez dhe president i Burundi FC, e njeh familjen e Irankundës prej dekadash. Ai kujton emocionet e papërshkrueshme kur topi përfundoi në rrjetë. “Vraponim nëpër shtëpi, u hodhëm nga divani dhe bërtisnim nga gëzimi. Ishte një moment i pabesueshëm për të gjithë ne”, rrëfen ai për FIFA-n. Pas atij goli, Hakizimana dhe anëtarë të tjerë të komunitetit janë kërkuar vazhdimisht nga mediat australiane për të treguar historinë e futbollistit që po shkëlqen në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Një histori që nisi në kampin e refugjatëve
Hakizimana e kishte njohur babain e Nestorjt, Gideon Irankunda, në një kamp refugjatësh në Tanzani, ku të dy familjet kishin emigruar gjatë luftës civile në Burundi. “Babai i tij ishte një nga futbollistët më të mirë të kampit. Edhe ai ishte sulmues”, kujton Hakizimana. Pas vendosjes në Australinë e Jugut në mesin e viteve 2000, të dy luajtën së bashku me skuadrën “Burundi Eagles Soçer Club”. Pikërisht aty fi lloi të shfaqej edhe talenti i vogël Nestorj, i cili stërvitej me të rriturit ndërsa njëkohësisht rritej në akademinë “Northern Ëolves”, përpara se të kalonte te “Adelaide Croatia” dhe më pas te “Adelaide United”.
Një talent i lindur
Hakizimana kujton se Irankunda nuk kishte frikë të përballej me lojtarë shumë më të mëdhenj se ai. “Edhe kur ishte fëmijë, vinte gjithmonë të stërvitej me ne. Nuk kishte frikë të luante me të rriturit. Ishte gjithmonë i sigurt në vetvete, i fortë dhe shumë i shpejtë. Ai është një talent natyral. Shpejtësia, forca, mënyra si kontrollon topin dhe merr vendime në fushë janë dhunti me të cilat ka lindur”, thotë presidenti i Burundi FC.
Sipas tij, zhvillimi i Irankundës ishte i dukshëm çdo ditë, edhe pse askush nuk e kishte imagjinuar se ai do të arrinte kaq shpejt në nivelet më të larta të futbollit. “Në emër të komunitetit burundez në Australinë e Jugut falënderojmë Federatën Australiane të Futbollit që u ka dhënë mundësi të rinjve tanë të realizojnë ëndrrat e tyre”.
Nga Adelaide te Bajern Mynih
Irankunda nuk është futbollisti i parë me origjinë burundeze që ka luajtur në Australi, por ai është padyshim ai që ka arritur më larg. Në vitin 2024 ai u transferua nga “Adelaide United” te gjiganti gjerman Bajern Mynih, pasi kishte zhvilluar 55 ndeshje dhe shënuar 16 gola në elitën australiane. Pas një periudhe me ekipin B të Bajernit, ai u huazua te Grasshoppers në Zvicër, ndërsa sezonin e fundit e kaloi te Uatford në Championship, kategorinë e dytë angleze.
Nuk harron kurrë rrënjët
Sa herë rikthehet në Australi, Irankunda nuk harron komunitetin ku u rrit. “Çdo fëmijë dëshiron ta takojë. Kur vjen këtu, stërvitet gjithmonë me ne dhe merr pjesë në aktivitetet tona”, tregon Hakizimana. Madje ai bashkohet edhe në ndeshjet miqësore mes brezit të babait të tij dhe futbollistëve të rinj. Më pas të gjithë ulen në tavolinë për të ndarë ushqime tradicionale burundeze, si ubugari, një gatim me miell misri, i shoqëruar me mish, peshk dhe fasule, ose ndonjëherë një barbekju tipike australiane.
Një komunitet i tërë pas Irankundës
Australia është kualifi – kuar në fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës, ku do të përballet me Egjiptin në Dallas. Për komunitetin burundez, Irankunda mbetet arsyeja më e madhe e krenarisë. “Do t’i dërgoj një mesazh: ‘Vazhdo Nestorj, i gjithë komuniteti është pas teje’”, përfundon Hakizimana.
PANORAMASPORT.AL













