Projekti i të kuqve/ Nga Qirko te Skuka, Partizani vendos piketat për kampionatin e ardhshëm 2026-27

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2026 | 0:00

Projekti i të kuqve/ Nga Qirko te Skuka, Partizani vendos piketat për kampionatin e ardhshëm 2026-27

Partizani po përgatitet të nisë një kapitull të ri me Florin Bratun në pankinë, ndërsa drejtuesit janë të bindur se baza e skuadrës nuk ka nevojë për një revolucion të plotë. Përkundrazi, ideja është që projekti i ri të ndërtohet mbi futbollistët që kanë treguar cilësi dhe personalitet, duke krijuar një bosht të qëndrueshëm në të gjitha repartet e fushës.

partizani

BAZA E EKIPIT- Nëse analizohen emrat që pritet të kenë rolin kryesor në sezonin e ardhshëm, bie në sy një bërthamë e përbërë nga Pano Qirko, Marcelino Preka, Rouan Human dhe Xhuliano Skuka. Katër futbollistë që luajnë në reparte të ndryshme, por që mund të përbëjnë shtyllën mbi të cilën Bratu do të ndërtojë identitetin e skuadrës. Gjithçka nis nga porta, aty ku Qirko mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të organikës.

Portieri ka fi tuar eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar dhe vazhdon të jetë një garanci për repartin mbrojtës. Në shumë ndeshje të sezonit të kaluar ai ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke mbajtur ekipin në lojë edhe në momentet më të vështira. Për një trajner të ri është gjithmonë e rëndësishme të ketë një portier që transmeton siguri dhe qetësi. Pikërisht këtë pritet të ofrojë Qirko edhe në sezonin e ardhshëm, duke qenë një nga liderët e padiskutueshëm të skuadrës.

MBROJTËSI- Përpara tij, një rol kyç pritet të ketë Marcelino Preka. Qendërmbrojtësi është shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të prapavijës së Partizanit falë forcës fi zike, lojës në ajër dhe stabilitetit që ka treguar.

Me largimin e Altin Bytyçit, përgjegjësia e tij pritet të jetë edhe më e madhe teksa të gjithë në ambientin e Kuq shpresojnë që ai të mos vuajë problemet fi zike të sezonit të kaluar. Preka pritet të jetë pika e referimit në mbrojtje, ndërsa pranë tij mund të formohet një dyshe solide me Saliu Sembenen, nëse senegalezi rinovon kontratën, ose me një afrim të ri që klubi synon ta realizojë gjatë merkatos.

MESFUSHA DHE SULMI- Në repartin e mesfushës, Rouan Human konsiderohet një nga futbollistët me më shumë cilësi teknike. Ai ka aftësinë të diktojë ritmin e lojës, të mbajë topin nën kontroll dhe të lidhë mbrojtjen me sulmin. Kur Human është në formën e tij më të mirë, edhe loja e Partizanit fi ton më shumë qartësi dhe kreativitet. Pa harruar këtu emra si Dumbia, Qaka, Ismaili e Murataj. Pikërisht për këtë arsye, Bratu pritet t’i besojë një rol qendror në projektin e tij. Mesfushori mund të jetë lojtari që organizon aksionet dhe që i jep ekuilibër skuadrës në të dyja fazat e lojës.

Në sulm, emri që spikat është ai i Xhuliano Skukës. Sulmuesi mbetet pika kryesore e repartit ofensiv dhe futbollisti nga i cili priten më shumë gola. Problemet fi zike e penguan të kishte vazhdimësi sezonin e kaluar, por një përgatitje e plotë verore mund ta ndihmojë të rikthehet në nivelin që e bëri një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit. Për Bratun do të jetë shumë e rëndësishme që Skuka të jetë në formën optimale, pasi një sulmues që garanton gola ndryshon objektivat e çdo skuadre. Për më tepër, ai do të ketë pranë alternativa si Sidibe, Keko dhe Shabani, duke krijuar më shumë mundësi në fazën sulmuese.

LIDERAT E SKUADRËS

Forca e këtij boshti nuk lidhet vetëm me cilësitë individuale të secilit lojtar. Ajo lidhet edhe me faktin se secili prej tyre është lider në repartin ku aktivizohet. Qirko organizon mbrojtjen, Preka garanton stabilitet, Human drejton lojën në mesfushë, ndërsa Skuka është pika e referimit në sulm. Nëse këta katër futbollistë arrijnë të kenë vazhdimësi gjatë gjithë sezonit, Partizani do të fi tojë më shumë ekuilibër dhe identitet. Megjithatë, çdo skuadër pretendente ndërtohet mbi një bërthamë të fortë.

Nëse Bratu arrin të krijojë automatizma rreth boshtit Qirko–Preka– Human–Skuka dhe ta mbështesë atë me afrimet e duhura në merkato, Partizani do të ketë një bazë të fortë për të rikthyer stabilitetin, për të përmirësuar rezultatet dhe për t’u rikthyer mes skuadrave që luftojnë seriozisht për titullin kampion.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL