“Rezultat pozitiv me Dinamon”, Resuli është i kënaqur: Flamurtari ka cilësi, po ndryshon
Dritan Resuli mendon se Flamurtari po ndryshon dhe është shumë besimplotë tek rikthimi në rrugën e duhur.

Ish trajneri që ka drejtuar kuqezinjtë disa herë në Superligë, Kategori të Parë dhe të Dytë, sot drejtor i akademisë në klub, “skanon” skuadrën. Resuli thotë se Superliga është e vështirë por kuqezinjtë kanë një grup cilësor që mban presionin. Sipas vlonajtit, Flamurtari motivohet më shumë me katër skuadrat e para. Sot me Dinamon e shikon të vështirë por jo të pamundur për të marrë një rezultat pozitiv.
Resuli si e cilëson Flamurtarin e këtij sezoni?
Diferenca e pikëve është e pranueshme. Ne shkojmë dhe rivalizojmë me këto ekipe që janë jashtë kësaj zone. E dimë që ekipi brenda ka cilësi, ka elementë shumë të mirë. U ndje ndryshimi sidomos në ndeshjet e para që i fituam me Vllazninë dhe Bylisin që ishte edhe paraqitja e mirë. Por Superliga është e vështirë sidomos për këto skuadra që diferenca është shumë e vogël. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Edhe faktori fushë në Superligën tonë nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Por ato janë ekipe të formuara që luajnë bashkë dhe 2-3 vite në Superligë. Ne jemi ekip i ri, kemi ndryshuar edhe trajnerin dhe këto oshilacione janë të pranueshme. Në pjesën e parë 45 minutat i bëjmë të mira, në pjesën e dytë shikojmë që ekipi ka një rënie.
Pse ndodhin këto oshilacione gjatë ndeshjes?
Është pak e vështirë për një trajner që kur vjen mes të kampionatit të merret me të gjithë komponentët që bëjnë zhvillimin e garës që te ana fizike, psikologjike, gjithçka çfarë duan të bëjnë ata për ecurinë. Edhe me Egnatian ne bëmë një ndeshje shumë të mirë. Ne i shikojmë të dyja ekipet një që ka qenë kampion, ka marrë pjesë në Kupat e Europës dhe një ekip si ne të ndërtuar këtë sezon me shumë lojtarë të huaj, por që bënë mirë. Lojtarët janë me cilësi dhe e mbajnë presionin si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
Çfarë nuk ka shkruar deri tani?
Në këtë periudhë kemi pasur dhe shumë dëmtime që duan kohën e vetë për t’u rikuperuar dhe për të ardhur në formë. Kështu që të gjitha këto e vështirësojnë pak situatë. Në këtë moment skuadra është duke reflektuar. Normalisht që ne presim shumë. E kemi treguar se pretendojmë. Sportdashësit tanë e mbushin stadiumin edhe në këto situata. Është e thjeshtë të bësh konstatuesin nga jashtë sepse ka shumë që komentojnë. Aktorët në fushë po japin maksimumin. Flamurtari nuk është për këtë pozicion. Ky ekip është ndërtuar për të qenë në katër më të mirët dhe cilësitë janë. Diferenca nuk është shumë e madhe. Me tre pikë ngjitemi në ato pozita që na bëjnë mirë ne.
Si është situata e dëmtimeve te Flamurtari?
Batha është kthyer në pankinë dhe e ndihmon grupin. Sepse ndihmesa ka të bëjë edhe me anën psikologjike, me dhomat e zhveshjes për atë që transmeton një lojtar i tillë me atë eksperiencë. Pritet për t’u aktivizuar sipas filozofisë që ka trajneri për të zhvilluar garën. Çdo gjë do kohën e duhur. Çdo lojtar dihet të marrë përsipër përgjegjësinë për ekipin që luan. Është një ekip me histori që i ka dhënë futbollit shqiptar. Ndër të paktat ekipe që njihen ne Europë.
Sot luhet me Dinamon. Sa janë shanset për një rezultat pozitiv?
Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Superliga është një kampionat që vrapohet. Nëse do i referohemi statistikave bëjnë 10-12 mijë metra detyrimisht që ka cilësi. Ndeshja është e vështirë por ne e dimë që kur jemi me ekipet e para nuk ka nevojë për motivim. Jemi në një pozicion që kemi jashtëzakonisht nevojë për pikë. Duhet një strategji për leximin e garës që me sa shikoj të gjithë janë të përkushtuar për maskimin. Por janë aktorët janë ata që kanë përgjegjësinë. Shikoj përkushtim dhe mbështetje nga të gjithë faktorët brenda dhe jashtë fushës. Shpresoj që me pak fat të arrijmë një rezultat pozitiv.
Si është situata e akademisë së Flamurtarit?
Këto vit funksionimi është ndryshe. Jemi duke futur edhe elementë të rinj. Ne për fat të keq i kemi të gjitha ekipet e moshave në Kategorinë e Parë për shkak të një reforme të FSHF. Por po bëjmë më të mirë dhe disa ndryshime të rëndësishme. Që kur unë kam ardhur drejtor i akademisë kemi ndryshuar disa gjëra dhe keni shtuar ekipet zinxhirë të moshave.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













