Reportazh/ Flamurtari luan “finalen” me Vorën stërvitje intensive dhe risi nga Garsia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2025 | 22:16

Reportazh/ Flamurtari luan “finalen” me Vorën stërvitje intensive dhe risi nga Garsia

Flamurtari luan “finalen” me Vorën. Vlonjatët nuk kanë shijuar ende fitoren e parë dhe do ta kërkojnë me ngulm në ndeshjen e së dielës që do të luhet në stadiumin e Laçit në orën 16:00. Nën drejtimin e trajnerit Karlos Garsia, kuqezinjtë po zhvillojnë përgatitjet intensive. Risi, ritëm, seriozitet dhe humor. Kjo është atmosfera në kampion vlonjat teksa vijojnë përgatitjet në javën ku sfidohet Vora. “Panorama Sport” sjell një reportazh nga një ditë stërvitore e kuqezinjve.

FLAMURTARI

Seanca zhvillohet si gjithmonë në fushën sportive në Pyllin e Sodës. Skuadra mbërrin në mënyrë të organizuar, por me automjete private. Të parët hyjnë në fushë anëtarët e stafit teknik dhe më pas futbollistët. Për herë të parë ka një ndarje të dukshme në pjesën e uniformës që mban veshur trajneri Garsia dhe ndihmësit e tij (uniforma ngjyrë blu me të bardhë) ndërsa futbollistët (uniformat kuqezi). Stafetën e merr i pari përgatitësi atletik Anibal Gonzales.

Fillimisht nisin “nxehje” dhe më pas nisin ushtrimet fizike. Përgatitësi atletik Gonzales kërkon shpejtësi nga futbollistët ndërsa trajneri Garsia mat me kronometër kohën. Më pas gradualisht nisin veprimet me topin në mesin e fushës. Në vijim trajneri Garsia nis t’i provojë me radhë para porte. Të parët që provohen janë Ramirez, Skuadrone, Oshafi, Rodriguez dhe në vazhdim gjithë të tjerët. Garsia ka sjellë edhe një risi.

Në vend të futbollistëve, të rreshtuar 4 manikinë, të cilat trajneri i ndryshon sipas momentit për të vënë në provë futbollistët. Në pushim, si për të ndryshuar atmosferën dhe për pak adrenalinë ndihmësit e trajnerit Garsia Javier Visea dhe Anibal Gonzales vendosen përpara portës për të provuar veten me gola. E ndërsa futbollistët çlodhen dhe konsumojnë ujë, stafi teknik ulet “këmbëkryq” në një pjesë të fushës ndërsa i afrohet edhe trajneri spanjoll. Pas pushimit puna nis përsëri vrullshëm.

SITUATA – Për ndeshjen me Botën trajneri Karlos Garsia do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët. Por dy mungesa do të jenë të pashmangshme. Denis Pjeshka nuk do të luajë. Shkodrani ka probleme me pulpën dhe këtë javë nuk është stërvitur.

Ai pritet që të nis veprimet javën që vjen. Mungesë do të jetë edhe Idriz Batha. Mesfushori ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi në gju, teksa ka pësuar këputje parciale të kroçiatit. Ai po ndiqet nga përgatitësi atletik Anibal Gonzales.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL