Rënia e Flamurtarit, trajneri Ribaj: Penallti e pastër, vendim që përcaktoi sezonin
Atmosferë e tensionuar dhe polemika të forta kanë shoqëruar sfidën mes Flamurtarit dhe Teutës, një ndeshje që në fund vulosi edhe zyrtarisht rënien e skuadrës vlonjate nga elita e futbollit shqiptar. Në kampin kuqezi kishin paralajmëruar që përpara takimit rezervat e tyre për arbitrin Eldorian Hamiti, duke pretenduar se caktimi i tij ishte i papërshtatshëm për një sfidë kaq delikate.

Klubi vlonjat mësohet se kishte dërguar edhe një shkresë zyrtare drejt Federata Shqiptare e Futbollit, ku evidentoheshin precedentët e mëparshëm me arbitrin në fjalë. Sipas Flamurtarit, në katër përballjet e fundit ndaj Teutës, në tre prej tyre drejtësinë e kishte vendosur po i njëjti gjyqtar, çka kishte ngritur dyshime dhe pakënaqësi në ambientin kuqezi. Polemikat nuk u shuan as pas vërshëllimës finale. Përkundrazi, ato u shtuan edhe më shumë pas episodit të diskutueshëm në minutat shtesë, ku Flamurtari pretendoi për një penallti të pastër pas një prekjeje të topit me dorë në zonë.
Në kampin vlonjat janë të bindur se ai moment ndikoi drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes dhe të sezonit. Trajneri Andi Ribaj, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, nuk e fshehu zhgënjimin e madh për mënyrën se si u menaxhua episodi nga arbitri Hamiti. Sipas teknikut, ajo ishte një penallti e qartë dhe arbitri duhej minimalisht të priste konfirmimin nga sistemi VAR. “Flamurtari ra një kategori më poshtë…
Nuk e meritonte këtë lloj gjëje, por sikundër e patë edhe ju me këta lloj arbitrash është pak e vështirë që të pranosh realitetin. Ishte një dorë e hapur dhe këtë gjë e kanë parë të gjithë. Edhe pas ndeshjes e pamë. Ai thjesht nuk pret që të konsultohet me VAR, por vazhdon direkt lojën dhe thotë vazhdo se nuk ka asgjë. Një penallti në minutën e 93… Ai nuk tenton që të presë as VAR-in, por për një sekondë dhe thotë vazhdoni lojën. Nuk ke fjalë…Kuptohet vetë nga të gjithë, nga i madh dhe i vogël”, u shpreh Ribaj, dukshëm i revoltuar.
E ARDHMJA – Rënia nga kategoria patjetër që i ka mërzitur të gjithë në Vlorë pasi Flamurtari konsiderohet një nga klubet historike të futbollit shqiptar. Megjithatë, në kampin kuqezi shpresojnë që ky të jetë vetëm një moment i vështirë kalimtar dhe se skuadra do të rikthehet shpejt në elitë. Tashmë Flamurtari ka rënë zyrtarisht në Kategoria e Parë, ndërsa sfida e fundit e sezonit ndaj Vllaznisë Shkodër në transfertë mbetet vetëm për statistikë.
Trajneri Ribaj vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe investimet e presidentit Sinan Idrizi, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë pranë skuadrës në momentet më të vështira. “Presidenti ka bërë gjithmonë investime sa ka mundur në këtë ekip. Ai është i pari dhe vendos ai për çdo gjë”, përfundoi trajneri i Flamurtarit, duke lënë të hapur gjithçka për të ardhmen e tij dhe të skuadrës vlonjate.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













