Ramadani, i pesti në Europianin e U-15-ës
Peshëngritësi i Kombëtares shqiptare, Kristi Ramadani, zuri vendin e pestë në kampionatin europian U-15, i cili po mbahet në Landskrona të Suedisë.
Përtej pezullimit në nivel botëror, peshëngritjes shqiptare iu ndez drita jeshile e pjesëmarrjes në garën kontinentale edhe me mirëkuptimin e Federatës Europiane të Peshëngritjes (EWF). I riu Ramadani ngriti në dygarësh 200 kg.
Stili i shkëputjes nis shumë mirë për të riun kuqezi, ndërsa ngre në dy provat e para 87 e 92 kg, por në tentativën e tretë me 95 kg nuk ia del dot duke e mbyllur i 6- ti. Kampion në këtë stil u shpall rumuni Paul Dumitrasku me 108 kg.
Me këmbë të mbarë e nis edhe shtytjen ku realizon me sukses 108 kg, por e ka të pamundur në dy të radhës me 112 kg. Edhe në këtë stil pozicionohet i 6-ti, ndërsa e arta shkon sërish për rumunin me 135 kg. Në përfundim të konkurrimit, përfaqësuesi shqiptar i datëlindjes 2000 renditet i 5-ti në Europë mes 10 konkurrentëve me 200 kg të ngritura në total, ndaj 243 kg të kampionit Dumitrasku.













