Projekti i Tiranës, stabiliteti i munguar i një skuadre të madhe
Projekti i Tiranës 2024-2025 dështoi, ashtu siç dështoi edhe kampionatin e shkuar me skuadrën që kishte superbuxhet. Edhe këtë vit, filozofia e zgjedhur nga klubi për të ulur shpenzimet dhe ndërtuar një ekip nga e para duket se nuk dha rezultat. Dështimi ishte total.

Bardheblutë duket se gabuan, teksa bënë një skuadër sa për të kaluar radhën, pasi ikja e futbollistëve kampionë dhe atyre që ishin baza e sezonit të shkuar, solli tronditje të madhe. Janë mbi 20 lojtarë, të cilët u afruan në qershor-janar, që e bënë të kryer dështimin, pasi atyre u duhej kohë të ambientoheshin. Gabimet janë të mëdha, me futbollistë që nuk qëndruan as pesë muaj, si Aran Isuf e ndonjë tjetër. Tirana largoi edhe djemtë e akademisë, ndërsa grupi nuk kishte ekuilibër mes reparteve.
Katër portierë, shumë sulmues, pak mbrojtës dhe mesfushorë. Problemi tjetër ishte cilësia e lojtarëve të ardhur. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë vendimtar apo lider. Zharmuni ka shënuar 13 gola, por jo në takime vendimtare. Ernest erdhi vonë dhe vetëm ai mund të ishte pak më ndryshe se të tjerët. Mbrojtja ka pasur probleme, paçka dyshes Kola-Dembele, sepse pëson shumë gola. Te sulmuesit e tjerë nuk ka vazhdimësi, veç Ndrecës. Tirana afron dhe largon afërsisht 19 lojtarë në sezon.
Skuadra më e titulluar e Shqipërisë, në 11 sezonet e fundit ia ka dalë që të afrojë 205 lojtarë dhe të largojë 213 futbollistë të tjerë. Shkurt, një lëvizje shumë e madhe për ekipin 26 herë kampion të Shqipërisë. Gjatë më shumë se një dekade ku skuadra është në pronësi të Refik Halilit, lëvizjet kanë qenë të mëdha, si në hyrje dhe largime. Me një llogari të thjeshtë, Tirana çdo sezon ndërtohet nga fillimi, pasi mesatarja e afrimeve dhe e largimeve është shumë e lartë. Në fakt, edhe trajnerët e kanë prekur disa herë këtë temë, pasi çdo verë dhe janar skuadra rindërtohet, duke sjellë një problem për ndërtimin e një filozofie loje, një situatë që sigurisht, nuk sjell stabilitet në grupin bardheblu.
PANORAMASPORT.AL













