Problemet e stadiumit, fusha sintetike e Partizanit dhe rruga! UEFA nuk e licenson “Arenën e Demave” për Europën
Partizani është skuadra shqiptare që është kualifikuar më shumë në kompeticionet europiane në dekadën e fundit. Të kuqtë e kanë arritur thuajse çdo vit objektivin minimal, ashtu siç bënë edhe sivjet. Në verë të kuqtë do të luajnë në Ligën e Konferencës dhe pritet që sërish t’i luajnë ndeshjet si pritës larg shtëpisë së tyre.

Stadiumi “Arena e Demave” vijon të ketë problem fushën sintetike jashtë standardeve dhe rrugën që të dërgon në stadium, çka është gjithashtu një kriter themelor, që shihet me kujdes nga vëzhguesit e UEFA-s. Të kuqtë luajnë në stadiumin e tyre që nga vitit 2022, por ende nuk kanë arritur të plotësojnë kushtet për të luajtur ndeshje ndërkombëtare. Për këtë fakt, stadiumi i kuq nuk ishte as në listën e stadiumeve që presin Euro U-17 për ndeshje apo për stërvitje.
Sakaq, ka mbetur ende pezull edhe çështja e dy fushave stërvitore të planifikuara për t’u ndërtuar anës stadiumit. Disa herë është dhënë lajmi për marrjen e lejes nga autoritetet, por deri më tani ndërtesat e vjetra të ish-repartit ushtarak qëndrojnë ende në këmbë, edhe pse të rrënuara.
I vetmi zhvillim pozitiv sivjet në kompleksin e kuq ishte hapja e hotelit të ekipit dhe një pjese të akademisë, çka përbën padyshim një zhvillim të madh në synimin për të funksionuar si një klub serioz dhe i madh futbolli. Në hotelin e klubit akomodohen një pjesë e mirë e ekipit, që trajtohet edhe me një dietë specifike, siç duhet të ushqehet një futbollist profesionist.
PANORAMASPORT.AL













