Probleme në mesfushë, por Bylisi është i gatshëm për Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2025 | 22:19

Probleme në mesfushë, por Bylisi është i gatshëm për Vorën

Bylisi u rikthye te fitorja në një duel mjaft delikat, të luajtur ndaj Elbasanit në “Adush Muçaj”. Ishte një lojë bindëse e ballshiotëve, të cilët shënuan tre gola, dhe duket se Mustafa Ibrahim është kthyer në liderin e ri të sulmit të skuadrës mallakastriote.BYLISNigeriani 29-vjeçar tashmë është një pikë referimi dhe po luan sezonin e tij të dytë në Ballsh. Trajneri Josa, së bashku me stafin, duket se e kanë “harruar” ndeshjen me verdheblutë dhe kjo fitore, pas dy barazimeve me Teutën dhe Vllazninë, ka rikthyer qetësinë, ndërsa pozitat e mallakastriotëve në renditje janë konsoliduar disi.

Tashmë, e gjithë vëmendja është e përqendruar te ndeshja e radhës dhe e fundit e fazës së dytë, ajo me Vorën. Ballshiotët do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të mbyllur këtë vit në mënyrë sa më të mirë, dhe duket se të gjithë janë duke punuar për ta bërë këtë realitet.

Me shumë gjasa, në sfidën që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi” në kryeqytet, te mallakastriotët do të mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm. Janë të sigurta mungesat e Aboubakar Kamara, një nga më të spikaturit, dhe të Koxhi, i cili ka qenë në formë të mirë në takimet e fundit. Të dy lojtarët e krahut janë të pezulluar me kartonë, ndërsa edhe një element i rëndësishëm në mesfushë, Arli Përgjoni, do të mungojë. Kjo do t’i detyrojë Josën që të ndërtojë thuajse nga e para mesfushën.

Në krah mund të aktivizohen Ualison dhe Peralta, por problemi mund të jetë në qendër, ku krahas Malomos mund të luajnë edhe dyshja Kane dhe David Adeduro. Gjithsesi, për lojë janë edhe Sanogo, Rabiu dhe Sulollari, ndërsa Abazaj mund të luajë si 6-shësh. Sot, mallakastriotët do t’u japin dorën e fundit përgatitjeve kundër Vorës dhe më pas do të grumbullohen për duelin në transfertë, i fundit zyrtar për vitin 2025. Të gjithë në Ballsh shpresojnë te vijimi i ecurisë pozitive, për më shumë se tri ndeshje radhazi, pasi nuk ka ndodhur këtë edicion që mallakastriotët të mos pësojnë disfatë për katër javë rresht.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL