Presidenca vendos ekipin e Bylisit në “rresht”, kërkohet një “mision i pamundur” që në fundjavë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2026 | 19:42

Presidenca vendos ekipin e Bylisit në “rresht”, kërkohet një “mision i pamundur” që në fundjavë

Bylisi kërkon që t’u thotë stop disfatave edhe pse në kalendar i pret një ndeshje mjaft e vështirë siç është kjo e radhës me Egnatian, e cila zhvillohet të shtunën në mesditë në qytetin e Ballshit.

bylis

Te mallakastriotët është zhvilluar analiza, ku kanë qenë krerët më të lartë të klubit, stafi i skuadrave dhe akademisë dhe është kërkuar nga djemtë që të fillojë kthesa, duke qenë se tashmë ka nisur faza e tretë dhe çdo ndeshje duhet që të konsiderohet si finale. Klubi ka kërkuar rikthimin në lojërat e bukur dhe rezultatet pozitive, duke nisur që nga Egnatia.

Natyrisht që janë diskutuar edhe mungesat që kanë sjellë edhe lëvizjet e detyruara në 11- shen e skuadrës, sidomos në mbrojtje, aty ku Kamara e Bruno kanë lënë hapësira jo të vogla, duke ditur vlerat që ata mbartin si lojtarë. Lojtarët nga sa kemi mësuar nga stafi mjekësor mund të mos jenë edhe ndaj rrogozhinasve, ndërsa faza e rikuperimit nuk kërkon që të nxitohet, duke qenë se janë ndeshje delikate të garës por afron edhe Kupa e Shqipërisë. Kalendari ka ngjeshje, ndaj klubi ka kërkuar pikët maksimale në duelet e shtëpisë. Ballshiotët luajnë me Egnatian, më pas shkojnë në transfertë me Dinamon, presin Partizanin dhe shkojnë në Durrës, por më mes është 1//4 e Kupës me Vllazninë.

STËRVITJA-Lojtarët kanë dalë në fushën e stërvitjes dhe Josa bashkë me stafin kanë zhvilluar një seancë të plotë me pjesën tjetër të skuadrës, me përjashtim të Kamarasë dhe Bruno që janë duke u përgatitur të diferencuar. Pritet që të ketë sërish lëvizje dhe ndryshime të detyruara për shkak të mungesave ndaj rrogozhinasve. Për herë të parë u ;panë që të luajnë në qendër Marku dhe Përndreca ndaj vlonjatëve dhe të mos harrojmë që bëhet fjalë për dy lojtarë, 21 dhe 19-vjeç, me eksperiencë jo të madhe në këtë profil.

Ndaj edhe klubi mund të rikthejë Abazajn në pozicionin e tij si mbrojtës qendre ndaj Egnatias, ndërsa Marku e Përndreca mund të zhvendosen në krah të tij, teksa nga krahët do të jenë Radu e Peralta. Me trion Adeduro, Malomo e Përgjoni në mesfushë që do të kenë këtë herë edhe detyra mbrojtëse. Gjithsesi janë shumë dilema të përcaktohen në Ballsh deri në prag të duelit mjaft të rëndësishme Egnatian qe luhet ditën e shtunë ora 13:30, në “Adush Muçaj”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL