Premtimet e Pinarit, Dinamo mbetet në pritje! Trajneri Daja kërkon lojtarë, klubi i sjell doktor
Dinamo nuk arriti të merrte më shumë se një barazim në transfertë ndaj Teutës, duke treguar edhe një herë tjetër se bregdetarët janë kthyer këtë sezon në makth për skuadrën e drejtuar nga Daja.
Ndërkohë, në kampin blu flitet shpesh për merkaton dhe ndërhyrje në ditët e mbetura, megjithatë deri më tani ka pasur vetëm dy largime sicc kanë qenë Karamba Gasama dhe Fjoart Jonuzi. Sikur të mos mjaftonin dy largimet e fundit, Dinamos iu dëmtua edhe mbrojtësi Bekim Maliqi i cili ka mbyllur sezonin, duke bërë që blutë të jenë pa tre lojtarë deri në fund të sezonit, nga të cilët vetëm Jonuzi nuk ka qenë i preferuar ndërsa dy të tjerët titullarë dhe protagonistë. Sa i përket afrimeve të reja, ende nuk ka pasur zyrtarizime nga klubi dhe pakënaqësi për situatën e krijuar ka pasur në klub.
DEKLARATA- Trajneri Ilir Daja u shpreh pas ndeshjes ndaj Teutës se për merkaton nuk mund të fliste, duke shtuar se kërkon 2-3 lojtarë. Ai kritikoi edhe drejtorin sportiv, Luan Pinari, të cilit i kujtoi edhe një intervistë të cilën Pinari e ka dhënë për gazetën “Panorama Sport”. “Për të dalë te merkato, jam trajner, se kam drejtorin sportiv para dhe ai para se të thotë që luftojmë për këtë e atë, të luftojë për të sjellë ca lojtarë në ekip, sepse edhe me dëmtimin e Maliqit që e ka mbyllur këtë kampionat, patjetër na duhet të përforcohemi me 2-3 lojtarë që të vazhdojmë ecurinë që kemi pasur edhe në 2025. Ia kisha premtuar që do ia thosha se kur del në shtyp duhet të mbajë përgjegjësi pastaj edhe për gjërat e tjera”, u shpreh trajneri i Dinamos pas ndeshjes me Teutën.
SI NISI HISTORIA- Pak ditë më parë, drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari foli për gazetën “Panorama Sport”, ku u pyet edhe për merkaton e janarit si edhe objektivat e skuadrës. Mes të tjerash, Pinari u shpreh se skuadra e tij ishte e gatshme të luftonte për titullin kampion dhe se një arritje e tillë, do ta bënte më të lehtë kualifikimin për në grupet e Europës ndërkohë që foli edhe për afrimet e fundit. Pinari u shpreh se kishte bisedime me disa lojtarë.
“Nga merkatoja e janarit, Dinamo synon të sjellë përforcime që do të rrisin cilësinë e ekipit dhe që do të forcojnë disa sektorë ku mund të kemi nevojë për përmirësim. Po, kemi pasur disa bisedime me lojtarë të ndryshëm, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Është periudhë merkatoje, dhe është normale që të diskutojmë dhe të shqyrtojmë mundësi të ndryshme. Titulli kampion është një objektiv që ne e kemi gjithmonë në mendje, dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur. Megjithatë, ne e dimë që fitimi i titullit mund të jetë një hap i rëndësishëm për të arritur grupet e Europës sepse e nis nga Liga e Kampioneve. Kështu që ne synojmë të dyja objektivat, të fitojmë titullin dhe të arrijmë në grupet e Europës”, shprehej mes të tjerash drejtori sportiv i Dinamos në intervistën e dhënë për gazetën, deklaratë kjo e përdorur nga Daja së fundmi.
SITUATA- Trajneri Daja ka pasur shpesh herë pakënaqësi në klub me afrimet e lojtarëve dhe situata ka qenë e tensionuar edhe në merkaton e verës, duke qenë se jo të gjithë lojtarët që ka kërkuar, janë afruar në skuadër. Në verë, Dinamo ishte ndër skuadrat me më shumë lëvizje duke afruar lojtarë me kualitet si Berisha, Guindo apo Teikseira ndërkohë që u shitën Itodo Mandela dhe Baton Zabërgja.
DOKTORI- Kur të gjithë presin që klubi të zyrtarizojë afrimet e reja në merkato dhe të plotësojë vendet e lëna bosh nga Jonuzi, Gasama e Maliqi i dëmtuar, te Dinamo po mendojnë për stafin. Ditën e djeshme u zyrtarizua afrimi i doktorit Aldo Vangjeli i cili për shumë vite ka qenë pjesë e klubit të Tiranës, me këta të fundit që arriti të fitonte edhe një seancë gjyqësore në FSHF. Dëmtimet në klubin e Dinamos kanë qenë të shumta këtë sezon dhe tani shpresohet që të ulet numri i tyre.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













