“Preferoj shqiptar për stolin, ja lojtarët që duhet të mbajnë”. Laluci: Pollozhani fillestar, jo trajner i duhur për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2025 | 13:28

“Preferoj shqiptar për stolin, ja lojtarët që duhet të mbajnë”. Laluci: Pollozhani fillestar, jo trajner i duhur për Flamurtarin

Vangjel Laluci mendon se ndërtimi i Flamurtarit, që do të militojë pas pesë vitesh në Superiore, duhet të nisë nga binomi trajner-drejtor sportiv. Ai mbështet vendimin e klubit që Artim Pollozhani të mos jetë në krye të pankinës, pasi aty duhet një person me më shumë eksperiencë në drejtim.

vangjel laluci

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-drejtori sportiv i Flamurtarit thekson se merkaton duhet ta bëjë trajneri i ri. Laluci flet edhe për lojtarët e sezonit të shkuar, që, në optikën e tij, duhet të qëndrojnë.

Laluci, Flamurtari po kërkon trajner pasi klubi nuk i besoi Artim Pollozhanit. Keni një koment për këtë vendim?

Artim Pollozhani është shumë djalë i mirë. Është natyrë e qetë dhe ka goxha eksperiencë si sportist, por nuk mjafton kjo. Ai nuk ka eksperiencë si trajner. Nëse flasim për një Flamurtar që të ketë pretendime, që t’i japë tonin Superiores, nuk duhet të eksperimentojmë me një trajner fillestar. Me gjithë respektin për karrierën e tij që ka qenë brilante, por për trajner nuk është gati.

Çfarë trajneri i duhet Flamurtarit?

Flamurtarit i duhet një trajner me eksperiencë. Nuk ka rëndësi nëse është i huaj apo vendës. Dëshira ime do të ishte që të jetë vendës, por që të jetë një trajner me eksperiencë, pasi do të marrë një ekip të mirëbërë. Nuk mund të besosh te një njeri i cili është fillestar në fushën e trajningut.

Klubi ka nisur bisedimet me disa emra, mes tyre Zekiç apo dhe Qatip Osmani. Keni një koment?

Mua Zekiç më ka pëlqyer. Është trajner i mirë. Për eksperiencë, kroatët dhe serbët kanë dhënë rezultate si trajnerë, më mirë nga italianët që kemi marrë ne. Unë në plan të parë do të isha për shqiptar. Por ne, shqiptarët i kemi kaluar, kanë ardhur një herë te Flamurtari si Shpëtimi (Duro) dhe Iliri (Daja). Të ishte për mua, do merrja Shpëtim Duron, se e kam mik të ngushtë. Pa futur këtu pjesën e Vlorës, si Eqerem Memushin dhe të tjerë. Ka një mentalitet që ne shqiptarët e njohim më mirë nga kushdo i huaj që vjen.

Çfarë këshilloni për merkaton?

Nuk e di kush do jetë drejtori sportiv, pasi detyrat janë të ndara. Drejtori sportiv duhet të dijë kush është trajneri, pasi nuk mund të marrë unë tani futbollistë dhe t’i them trajnerit hajde. Unë do të marrë trajnerin dhe ai ndërton ekipin sipas filozofisë së tij. Është si puna e kuzhinierit…

Tefik Osmani nuk erdhi, por flitet që drejtor sportiv do të jetë Pollozhani, si e shikoni?

Pollozhani është më mirë në pozicionin e drejtorit sesa të trajnerit. Ka shumë të bëjë bashkëpunimi trajner-drejtor sportiv, sidomos tani në fazën e parë të blerjes së lojtarëve. Drejtori i shkon filozofisë së trajnerit dhe nesër i kërkon llogari. Trajneri duhet të kërkojë lojtarët që do dhe që i përshtaten filozofisë së tij.

Po nga grupi aktual cili mendoni se duhet të qëndrojë?

Dy portierët, Frashëri dhe Kaloshi, duhet të qëndrojnë. Nuk ia heq dot Salin Dinamos dhe Qirkon Partizanit. Trashi duhet të qëndrojë. Pjeshka po ashtu, pasi është lojtar për trajner. Ai ka iniciativë dhe seriozitet, është konstant, që e ke në jetëgjatësi dhe ka frymë në ekip. Oshafi është lojtar i mirë. Edhe Vasil Shkurtaj bën diferencën aq sa duhet. Unë këta do të doja të qëndronin.

Si e mendoni ju Flamurtarin në Superiore?

Ajo lidhet me këtë që ne thamë, që duhet të zgjedhin trajnerin dhe lojtarët. E di që ka një buxhet të mirë dhe Idrizi do i realizojë ato që thotë, por duhet fillimisht një trajner i mirë dhe një drejtor sportiv i mirë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL