PRAPASKENAT/ Milinkoviç bëhet gati për Partizanin. Vizita në Tiranë, për të fituar duelin me kandidatët e tjerë të huaj në sezonin “special” të klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2025 | 8:23

PRAPASKENAT/ Milinkoviç bëhet gati për Partizanin. Vizita në Tiranë, për të fituar duelin me kandidatët e tjerë të huaj në sezonin “special” të klubit

Partizani është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me trajnerin e ri. Gjithçka tregon se do të jetë Mladen Milinkoviç ai që do të ulet në stolin e të kuqve për vijimin e edicionit 2025/26.

milinkovic

“Panorama Sport” mëson se 57- vjeçari ndodhet në Tiranë dhe ka diskutuar detajet e bashkëpunimit me klubin. Zyrtarizimi mund të vijë që sot, për të vazhduar menjëherë punën me skuadrën. Kështu do të ishte Milinkoviç që do udhëhiqte Partizanin në 80-vjetorin e klubit. Për të është një rikthim pas thuajse 8 vitesh në Shqipëri.

TRAJNERI I RI- Në një verë ku skuadra nisi përgatitjet me Skënder Gegën në krye dhe kaloi një eliminim të hershëm në Europë, te Partizani kanë vendosur të zgjedhin një profil që po e shqyrtonin prej ditësh. Bëhet fjalë për serbo-boshnjakun, me dy eksperienca të mëparshme në futbollin shqiptar.

EKSPERIENCAT- Milinkoviç ka drejtuar fillimisht Luftëtarin në sezonin 2016/17, ku la përshtypje pozitive për stilin e lojës. Për më tepër ishte edhe surpriza e edicionit, pasi e mbylli kampionatin në vendin e katërt pas ekipeve që dominonin si Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu. Më pas u vendos në krye të Kukësit, që mbante statusin e kampionit në fuqi. Milinkoviç numëron eksperienca në Malin e Zi ku është shpallur dy herë rresht kampion, Serbi, Azerbajxhan dhe Arabinë Saudite.

TE PARTIZANI- Të kuqtë, pas largimit të Skënder Gegës më 23 korrik, i kanë zhvilluar seancat stërvitore nën drejtimin e Fatjon Muhametit. Ky i fundit është trajner i ekipit U-19. Skuadra mbetet në fazë ndërtimi, me disa elementë të rinj të afruar nga akademia dhe me të tjerë futbollistë që po ashtu priten nga merkato e verës. Pikërisht kjo situatë kërkon një trajner që di të krijojë një strukturë të qëndrueshme, në funksion të një projekti afatgjatë. Milinkoviç e tregoi veten te Luftëtari dhe besimi është që do e bëjë sërish me Partizanin.

TË TJERËT- Emri i Milinkoviç ka qenë mes tre alternativave në listën e klubit. Pikërisht së bashku me Françesko Morieron dhe Mario Cvitanoviçin. Partizani ka preferuar të eci me profilin që mund të sjellë ndryshimin. Negociatat me Milinkoviçin kanë qenë intensive pikërisht në ditët e fundit.

MERKATO- Vonesa në emërimin e trajnerit ka ndikuar edhe në merkato. Pa një teknik në krye, Partizani është treguar i përmbajtur në transferime. Kështu është rikthyer vetëm Da Silva. Tashmë me emërimin e Milinkoviçit, pritet të rishikohet edhe situata në merkato. Skuadra ka ende nevojë për mesfushorë me eksperiencë, që do sjellin balancë dhe do ndihmojnë në rritjen e të rinjve.

80 VJETORI- Milinkoviç do të gjejë një skuadër që në arenën ndërkombëtare luajti me moshë mesatare rreth 23 vjeç. Për këtë nuk duhet të ndërtojë vetëm një formacion fitues, por një identitet të ri loje pas dështimit në Europë dhe rritjes së konkurrencës në kampionat. Rivalitetit të sezonit të kaluar i shtohet edhe Flamurtari, që ka lëvizur me emra të bujshëm në merkato. Partizani po shkon drejt 80-vjetorit me ambicie të njëjtë, për të rikthyer trofetë që mungojnë në vitin 2024 dhe 2025. Paqëndrueshmëria në pankinë mbetet një plagë e kësaj periudhe. Në dy vitet e fundit janë ndërruar Zekiç, Shehi, Veselinoviç dhe së fundmi Gega. Tani te Partizani kërkojnë që Milinkoviç të sjellë stabilitetin e munguar. Sfida nis me prezantimin e tij.

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL