Plot 48 javë në krye, Egnatia dominon futbollin shqiptar
Egnatia ia doli që për të dytin sezon rad hazi të shpallet kampione e vendit, duke u konfirmuar si ekipi më i mirë i futbollit shqiptar në dy sezonet e fundit. Dy vite dominim thuajse në të gjitha aspektet, duke mos u dhënë mundësinë kundërshtarëve t’i rivalizojnë.

Vendi i parë në 36 javë dhe në fund shpallja kampion, duke bërë në njëfarë mënyre që edhe formula aktuale të mos dështojë, sepse nëse rrogozhinasit përgjatë këtyre dy viteve do të zinin vendin e parë në kampionatin e rregullt dhe në fund të mos merrnin titullin, pa frikë do të konsiderohej si një dështim i formulës. Në njëfarë mënyre, rrogozhinasit “kanë shpëtuar” edhe nderin e formulës “Final 4”, që vë në pikëpyetje edhe skuadrën që mund të fitojë titullin.
KRYESIMI – Egnatian e këtij sezoni nuk mund ta ndash dot nga ai i vitit të kaluar, për aq kohë sa bëhet fjalë për një cikël që ka nisur dhe vazhdon. Për më tepër, kur bëhet fjalë për dy skuadra që në fund kanë arritur të fitojnë titullin kampion. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ecurisë së kampionëve përgjatë sezonit të kaluar dhe atij aktual, ku edhe po dominon futbollin shqiptar. Më konkretisht, pas 36 javëve kampionat të sezonit 2023- 2024, rrogozhinasit kanë qenë në kryesim për plot 28 javë, çka nënkupton se vetëm në tetë javë nuk ka qenë në vendin e parë.
Dominim absolut karshi skuadrave të tjera, të cilat hasën vështirësi për ta rivalizuar. Sakaq, dominimi në sezonin 2024-2025 ka qenë paksa më i zbutur, edhe pse të besuarit e Edlir Tetovës nuk e vunë asnjëherë në diskutim vendin e parë. Më konkretisht, këtë vit ka qenë në kryesim plot 20 javë, nga 36 që janë luajtur në total. Me pak fjalë, nga 72 javë kampionat në dy vite, kampionët kanë qenë në krye 48 javë dhe në fund kanë arritur që të shpallen edhe fitues të kampionatit me fazën e “play-off”.
CIKLI FITUES – Sekreti i një Egnatia që po dominon lidhet pikërisht me atë që po ndërton klubi. Ka arritur të formojë një cikël fitues me pak ndryshime nga njëri sezon në tjetrin, në mënyrë që boshti të mos ndryshojë. Mjafton të thuhet se gjysma e lojtarëve që luajtën në finalen e këtij viti ishin edhe në atë të sezonit të kaluar.
Mësohet se e njëjta strategji do të vijojë edhe këtë sezon, me lojtarët kryesorë që nuk preken, por atyre u shtohen edhe të tjerë futbollistë që mund të përforcojnë skuadrën. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse e njëjta logjikë do të përdoret edhe për këtë sezon.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













