Marrit Steenbergen, notarja holandeze vendos rekord botëror në 100 metra stil i lirë
Marrit Steenbergen vendosi rekord të ri botëror në garën e 100 metrave stil i lirë në pishinë 50-metërshe, pasi e përshkoi distancën në 51.68 sekonda gjatë garave të zhvilluara në “Foro Italico” të Romës.

26-vjeçarja holandeze përmirësoi me tre të qindtat rekordin e suedezes Sarah Sjostrom, rezultat që qëndronte në fuqi që prej korrikut të vitit 2017. Kampionia e botës në këtë disiplinë për dy vitet e fundit e mbylli gjysmën e parë të garës në vendin e dytë me kohën 24.98 sekonda, pas Siobhan Haughey nga Hong Kongu, por në 50 metrat e fundit realizoi një rikthim të shkëlqyer. Rekordi i mëparshëm ishte i treti më jetëgjati në historinë e notit për femra.
Para fillimit të këtij sezoni, rekordi personal i Steenbergen ishte 52.26 sekonda. Megjithatë, vetëm dy javë më parë në Canet, ajo kishte treguar formën e jashtëzakonshme duke zbritur për herë të parë nën 52 sekonda (51.86), që në atë moment ishte koha e dytë më e mirë në histori. Steenbergen shpërtheu në arenën ndërkombëtare që në moshën 15-vjeçare gjatë Kampionatit Botëror të vitit 2015, kur u krahasua me trefishen kampione olimpike Ranomi Kromowidjojo.
Gjatë karrierës së saj ka fituar pesë medalje në Kampionatet Botërore, pesë medalje në Botërorin e pishinës së shkurtër dhe nëntë medalje në Kampionatet Evropiane. Ajo ka marrë pjesë gjithashtu në tre Lojëra Olimpike: Rio 2016, Tokio 2020 dhe Parisi 2024.
PANORAMASPORT.AL













