Bekim Balaj, lideri i padiskutueshëm i Vllaznisë
Kur nis një sezon i ri, shumë gjëra mund të ndryshojnë te Vllaznia, por një emër mbetet i pandryshueshëm në qendër të projektit kuqeblu. Bekim Balaj do të jetë edhe në edicionin 2026-27 lideri kryesor i skuadrës shkodrane, duke marrë mbi supe përgjegjësinë për të udhëhequr ekipin si kapiten dhe si pika kryesore e repartit ofensiv.

Në moshën 35-vjeçare, eksperienca e ish-sulmuesit të Kombëtares shqiptare vazhdon të jetë një nga armët më të forta të Vllaznisë. Prej tre sezonesh ai ka qenë figura që ka mbajtur peshën më të madhe të skuadrës, jo vetëm për autoritetin që gëzon në dhomat e zhveshjes, por edhe për kontributin konkret në fushën e lojës.
Balaj ka treguar se vazhdon të jetë një golashënues i lindur, duke u renditur si shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. Pavarësisht viteve, sulmuesi shkodran nuk jep asnjë shenjë se ka ndërmend të ulë ritmin. Përgatitja fizike, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij mbeten në nivele të larta, ndërsa objektivi është i qartë: të ndihmojë Vllazninë të arrijë synimet sezonale dhe të vazhdojë të jetë vendimtar në momentet më të rëndësishme.
Te Vllaznia besojnë se eksperienca e Balajt do të ketë një rol kyç edhe në rritjen e futbollistëve më të rinj të skuadrës. Prania e tij në fushë dhe në stërvitje konsiderohet një vlerë e shtuar, ndërsa kapiteni mbetet shembulli i profesionalizmit për gjithë grupin. Sezoni 2026-27 pritet të sjellë sfida të rëndësishme për kuqeblutë, por një gjë duket e sigurt: kur Vllaznia të kërkojë një lider për ta marrë përdore ekipin, sytë do të drejtohen sërish nga Bekim Balaj. Edhe këtë herë, përgjegjësia më e madhe do të bjerë mbi supet e kapitenit, i cili është gati të japë maksimumin për fanellën kuqeblu.
PANORAMASPORT.AL













