Plas te Juventusi/ Pirlo dhe Angjeli sherr në tunel, zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 9:30

Plas te Juventusi/ Pirlo dhe Angjeli sherr në tunel, zbulohen prapaskenat

Beteja mes Davidit dhe Golisë nuk ndodh vetëm në përralla dhe diçka të tillë e konfirmoi Benevento të dielën pasdite, duke mundur Juventusin në “Allianz Stadium” me rezultatin minimal. Nëse për skuadrën e Filipo Inzagit këto tri pikë vlenin vetëm shpresë për mbijetesën në Serinë A, për skuadrën e Andrea Pirlos zero pikët konfirmojnë dështimin e radhës në një garë për titull, e cila sa herë që duket sikur rihapet, menjëherë shanset zbehen.

Agnelli.Pirlo.Juve.2020.211.1400x840

Por, çfarë është më e keqja, kjo shuplakë e marrë ka tronditur shumë ashpër themelet e “Maestros” në Torino, por në të njëjtën kohë edhe marrëdhënien e tij që dukej shumë e fortë me presidentin Andrea Anjeli. Sipas asaj që nënvizojnë media të ndryshme italiane në kor, në fund të ndeshjes të së shtunës, në dhomat e zhveshjes së Juventusit kanë fluturuar shumë gjëra në ajër, nga bluzat e grisura prej nervozizmit, deri te fjalët e rënda të protagonistëve bardhezinj.

Madje, ajo që raporton “Sportmediset”, por edhe e përditshmja “Repubblica”, është edhe më e fortë sesa kaq, pasi me sa duket, janë lëshuar edhe sharje dhe fraza të ashpra mes presidentit Andrea Anjeli dhe trajnerit Andrea Pirlo. E gjithë kjo, përpara syve të të gjithë pjesës tjetër të skuadrës, një skenë fare e pakëndshme dhe ndoshta që duhej shmangur, por e cila tregon qartë edhe momentin e vështirë në klubin bardhezi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, dje ka pasur një tjetër mbledhje në qendrën stërvitore, “Kontinaza”, por ajo që duket se i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit ka qenë mungesa e Andrea Pirlos. Disa burime thonë se edhe trajneri ishte ftuar që të ishte i pranishëm në takimin kokë më kokë mes presidentit, zëvendësit të tij, Pavel Nedved, dhe drejtorit sportiv, Fabio Paratiçi, por Pirlo ka munguar, ndoshta e ka snobuar. Në këtë përballje, në të cilën mendohet se ka marrë pjesë edhe Xhon Elkan (presidenti i “EXOR”, grupit financiar që kontrollon Juven) me anë të lidhjes video, ajo që është biseduar ka qenë situata aktuale në klub dhe rishikimi i planit “Pirlo” për të ardhmen.

Nëse deri 48 orë më parë trajneri dukej i paprekshëm, kjo gjë ka ndryshuar rrënjësisht pas Beneventos. Madje, nga disa thashetheme të dala dje pas takimit në “Kontinaza”, garantohet se një tjetër humbje në kampionat mund të ishte fatale për Pirlon, i cili do të shkarkohej menjëherë.

Arsyeja është vënia realisht në rrezik edhe e zonës Champions, duke kujtuar se pas disfatës me Beneventon, Juventusi me 55 pikët e tij nuk është aspak i sigurt, duke parë se në të njëjtën kuotë është edhe Atalanta, e ndjekur nga pas nga Napoli me 53, Roma me 50 dhe Lacio me 49.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL