Plani anti-Tirana/ Kapiteni i Teutës, Kotobelli: Në kryeqytet për pikë, janë 180 minuta vendimtare
Në vigjilje të ndeshjes të së shtunës ndaj Tiranës, për “Panorama Sport” ka folur kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli.

Mbrojtësi ka analizuar këtë sfidë delikate. Kotobelli shprehet se Teuta pas një jave të mirë ndaj Laçit, do të kërkojë tri pikët. Mbrojtësi i bluve pranon se në këto momente s’do parë renditja, por të merren, një e nga një, dy ndeshjet e mbetura.
A është gati Teuta për duelin ndaj Tiranës?
Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë gabimet e duhura nga sfida si ajo me Laçin dhe tashmë po përgatitemi që të jemi gati për të sot. Pas një rezultati shumë të mirë si ai i kaluari, duhet të vijojmë të marrim pikët.
Një tripikësh këtë javë do t’ju bënte shumë punë si e shihni?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas 7 rezultateve pozitive radhazi në këto javë. Kemi bërë shumë mirë dhe duhet të vijojmë më këtë ritëm që të arrijmë te suksesi.
Si shkuan përgatitjet e fundit para kësaj ndeshjeje?
Si për çdo ndeshje. Kujdesimi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar, duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.
Teuta vjen në këtë ndeshje pas momentit të mirë. Sa besoni te fitorja?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak a shumë e njëjta. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Tiranën. Përpos rezultateve të mira, ekipi ka besimi dhe entuziazëm, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Ekipet janë afër me pikë. Besoni se do ta mbyllini të gjashtit në renditje?
Në këtë moment që ndodhemi, nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve poshtë nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshjeje.
Cilët janë objektivat tuaj për këtë fundsezoni?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Të marrim pikët në këto 180 minuta. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













