Pilotët me më shumë rrëzime në 2025-ën, Markez prish “mallkimin”
Qëndrueshmëria është një faktor kyç në sezonin aktual të MotoGP-së. Pavarësisht se çfarë objektivash ka secili në mendje, nëse humbet qëndrueshmëria, ato janë shumë të vështira për tu arritur. Pra, për pilotët shmangia e rrëzimeve dhe përfundimi i gareve është diçka thelbësore, por jo e lehtë për tu realizuar, aq më tepër kur bëhet fjalë për një sport që kërkon të shtysh deri në limite.

Botërori ka mbyllur gjysmën e parë të sezonit, por cilët janë pilotët që janë aksidentuar më shumë gjatë këtij viti? Dy pilotët që janë rrëzuar më shumë deri më tani këtë sezon janë Joan Mir dhe Johan Zarko. Dy pilotët e Hondës kanë pësuar nga 15 aksidente secili. I treti në këtë klasifikim është Aleks Markez, i cili pavarësisht se është i dyti në Kampionatin Botëror, numëron gjithsej plot 13 aksidente, njësoj si Brad Binder. Në rastin e Joan Mirit vlen të theksohet mbi të gjitha fati i keq që e ka ndjekur spanjollin në 12 garat e para të këtij sezoni.
Në pesë nga këto 12 gara, ai është rrëzuar pasi është goditur nga një tjetër pilot. Në Francë, ishte Bastianini ai që shkaktoi një përplasje të shumëfishtë, në Aragon e preku Miler, e në Asen u përplas me Aldeguerin, në Gjermani e rrëzoi Ogura, ndërsa në Brno e rrëzoi Aleks Markez, duke e nxjerrë jashtë që në fillim të garës. Aksidente këto që peshojnë dukshëm edhe në renditje, sepse Joan Mir ka vetëm 32 pikë, ndërsa Marini, i cili humbi gjithashtu disa gara për shkak të dëmtimit, ka 20 pikë me të njëjtin motor.
MARK MARKEZ LARGON PROBLEMET – Një nga pengesat më të mëdha që e kanë përndjekur Mark Markezin gjatë gjithë karrierës së tij janë përplasjet. Kjo gjithmonë i është faturuar tetë herë kampionit të Botës dhe, në fakt, dëmtimet që kanë shënuar karrierën e tij janë shkaktuar nga përplasje vërtet të forta. Megjithatë, në këtë gjysmë të parë të sezonit 2025, kampionati i parë i tij me Dukatin zyrtar, gjërat duket se kanë ndryshuar. Në vitin 2023, vitin e tij të fundit me Hondan, Markez u përplas 14 herë në gjysmën e parë të sezonit, ndërsa vitin e kaluar, me ekipin Gresini, ai u përplas plot 15 herë.
Këto janë shifra shumë të larta për të qenë pretendent për titull. Sapo është rikthyer në garën për titull, pilot i lindur në Çervera pothuajse e ka përgjysmuar numrin e aksidenteve. Me 12 evente të zhvilluara në këtë pjesë të parë të kampionatit, Markez është aksidentuar vetëm 8 herë dhe ky është një faktor tjetër për të kuptuar nivelin superior të pilotit spanjoll krahasuar me kundërshtarët.
MARTIN, RRËZIMET MË TË KËQIJA – Megjithatë, ai që ka pasur përvojën më të keqe me aksidentet këtë vit është Horge Martin. Kampioni në fuqi i Botës është rrëzuar dy herë në 12 xhiro parasezonale dhe u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për të trajtuar disa fraktura në këmbë dhe duar. Më pas ai u rrëzua ndërsa stërvitej në klasin “supermotard” dhe humbi tre raundet e para të kampionatit. Pikërisht kur erdhi momenti të shihte dritën në fund të tunelit në Çmimin e Madh të Katarit, ai pati një tjetër rrëzim, edhe më të rëndë.
Piloti i lindur në Madrid pësoi një aksident të frikshëm në Lusail, duke thyer për fat të keq 11 brinjë. Një dëmtim që e la jashtë kompeticionit për disa muaj, teksa gara e parë e përfunduar e Horge Martinit me Aprilian ishte raundi i 12-të sezonal, në Çeki, event u shënoi edhe pikët e para me skuadrën e tij të re.
PANORAMASPORT.AL













