PIKANTET/ Nga penalltia te tensioni dhe arena “VIP”, të veçantat e mbrëmjes që tronditi Partizanin në Europë (E PLOTË)
“Panorama Sport” ju sjell pikantet e Partizani-Kalju, që u luajt të enjten e 17 korrikut në “Air Albania”. Të kuqtë u eliminuan në turin e parë të Ligës së Konferencës, me pengun e një penalltie të humbur. Tension, kritika dhe momente të veçanta mund të vëreheshin nga tribuna “VIP”. Në fund mbetet shija e hidhur e dështimit të madh në fillimin e sezonit.

-Koha është e vranët dhe temperatura shënon 26 gradë. Në stadiumin “Air Albania” bie në sy se nuk ka karrige të lokaleve jashtë. Një mbrëmje më parë janë larguar të gjitha.

-Ndryshe nga sektorët e tjerë, tribuna VIP shfaqet e mbushur. Nevil Dede me protokollin e ndeshjes, Dritan Mehmeti, Bujar Pregja, Përparim Kabo, Ilir Shulku, janë në tribunë për të parë ndeshjen. Nuk e ka humbur as Luan Pinari këtë moment. Ky i fundit është drejtor sportiv i Dinamos.

-Trajneri Gega ka ndryshuar formacionin dhe rreshtimin nga ndeshja e parë. Nga 4-3-3, Partizani paraqitet me 4-2-3-1. Mehmeti është kthyer në mesfushë dhe vendin e tij e ka marrë Bytyçi.
-Vusal Isgandarli debuton me Partizanin. Humbet rast të artë në minutën e katërt.
-Portieri i Kaljus që luan titullar, Maksim Pavlov, feston sot ditëlindjen. Një urim i veçantë iu rezervua nga skuadra, ndërsa ishin në hotel.
-Një grua në moshë shoqëron këngët e Partizanit në tribunën VIP, ndërsa duket se është me nipin.
-Andi Janjeva, Redon Ismaili dhe Nebi Qokthi qëndrojnë në tribunë bashkë. Para ndeshjes takojnë drejtorin Abilaliaj.
-Rreth 30 tifozë të Kaljus janë te sektori i tyre pas portës. Mësohet se kanë udhëtuar me klubin estonez.
-Gega shfaqet shumë i përfshirë në minutat e para. Disa herë kalon edhe kuadratin kufizues.
-Kanë kaluar vetëm 15 minuta lojë dhe birrat konsumohen me shumicë. Kamerieri ka mjaft punë në këtë mbrëmje vere.
-Dhe pse luan Partizani, një tifoz i Tiranës nuk humbet mundësinë të jetë në stadium. Për të biseduar ndalet tek Ilir Shulku, sekretar i përgjithshëm i FSHF-së.

-Një veprim individual i Martinez në mesfushë, ndërsa regjistrohej minuta e 19-të, mori duartrokitjet e të pranishmëve.
-Trajneri Gega disa herë i tërheq vëmendjen Buxhelajt, ndërsa është minuta e 22-të e ndeshjes. Atanaskoski del në nxehmje.
-Shanaj, Rifa, Vata, Atanaskoski dhe Kote në nxehmje. Edhe nga ana e Kaljus janë pesë lojtarë. Ogunleje, Çipi, Himallari dhe Gudjufi vijojnë më pas duke qëndruar bashkë me Koten dhe Atanaskoskin. Minuta e 35-të
-Gega i kërkon Martinezit të shtyjë përpara. Mbrojtësi zbaton porosinë.
-Dy tifozë të Partizanit janë me bluzën e Skënder Gegës, S. G. Mbështetje nga tribuna VIP për të.
-Tifozët “Ultras Guerrils” ruajnë atmosferën në stadium. Ftojnë karshinë t’u bashkohet në kor. Partizani godet traversën me Bytyçin.
-Portieri e Kaljus bie keq duke alarmuar stafet. Vusal Isgabdarli ndëshkohet me karton të verdhë.
-Gjatë kësaj kohe, lojtarët përfitojnë për t’u freskuar. Gega udhëzon Buxhelajn dhe më pas disa lojtarë të tjerë. Loja rifillon në minutën e 41-të, portieri mori për dy minuta ndihmën e stafit mjekësor.
-Eneo Bitri publikon një foto në pjesën e parë, për të treguar se po ndjek të kuqtë. Ish-kapiteni i Partizanit ndodhet në stadium. Bitri është aktualisht pa ekip, pasi mbylli aventurën me Giorin në Hungari.

-Tefik Osmani qëndron në tribunën VIP, ndërsa akoma nuk ka marrë drejtimin e ndonjë klubi pas largimit nga Vllaznia.
-Një tifoze bionde, mjaft simpatike, ka të veshur fanellën e Mehmetit. Atë të zezën që në sezonin e kaluar ishte e treta dhe siç duket e ka marrë dhuratë.
-Minuta e 50-të, Buxhelaj shpëton Partizanin. Topi kaloi gjithë pasqyrën e portës dhe nëse gjente lojtarin kundërshtar, mund të përfundonte në portë.
-Garsia ka nevojë për ndihmën e stafit mjekësor. Nuk ia del të vazhdojë, del duke çaluar dhe vendin e tij e merr Kote.
-Kalju e ka nisur më mirë pjesën e dytë. Ndryshe nga e para, ka dominim në qarkullimin e topit.
-Skuka provon të zgjidhë gjithçka vetë. E merr nga mesfusha e të kuqve topin, futet në zonë dhe ndalet nga portieri i Kaljus. Skuka fiton koret e tifozëve të Partizanit. Kapiteni i përshëndet ata për thirrjet.
-Trajneri i Kaljus, Nikita Andrejev, ndëshkohet me karton të verdhë. Shkak bëhen protestat e shumta nga stoli.
-Në pjesën e dytë, tifozët kontestojnë disa herë vendimet e gjyqtarit nga Malta.
-Skuka fiton penallti. Vendësit kanë pretendime për faull më parë. Tifozët festojnë dhe ka një flakadan të ndezur.
-Skuka e humbet penalltinë e fituar vetë. Gëzim i papërmbajtur te miqtë ku trajneri i Kaljus është ai që e shpreh më tepër. Pllakos heshtja te pankina e kuqe. Tifozët i afrojnë sërish përkrahje Skukës, edhe pse humbi penallti. Kapiteni është nga lojtarët më të pëlqyer te “Demat”.
-Minuta e 89-të, Kalju regjistron gjuajtjen e parë në kuadrat. Qirko tregohet i vëmendshëm.
-Gudjufin merr vendin e Isgandarlit me fillimin e kohës shtesë. Në minutën e 99-të, Qirko ka nevojë për ndihmën e stafit mjekësor. Shanaj bëhet gati dhe merr vendin e Mehmetit.
-Partizani e pëson në minutën e 104-të. Në stadiumin “Air Albania” dëgjohen tashmë vetëm tifozët e Kaljus.
-Ka tension mes Qirkos dhe Manilan. Ky i fundit u mundohet të vonojë lojën. Sembene shfaq probleme fizike.
-Akordohet vetëm 1 minutë shtesë. Gega dhe përfaqësues të Partizanit kontestojnë te gjyqtari i katërt.
-Zhgënjim i madh te Partizani. Skuka qëndron i shtrirë në fushë. Sembene po ashtu. Gega shkon menjëherë në dhomat e zhveshjes. Disa tifozë të mbetur nga grupimi “Ultras Guerrils” u japin mbështetje lojtarëve, pavarësisht zhgënjimit. Festa e gjitha për klubin e Kaljus, që bëhet bashkë me tifozët.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













