Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ “Xixa” kapitenësh, Balaj dhe Aleksi kapen para çmimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2025 | 11:41

Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ “Xixa” kapitenësh, Balaj dhe Aleksi kapen para çmimit

Priteshin më shumë tifozë në shkallët e “Loro Boriçit” për ndeshjen Vllaznia-Egnatia. Megjithatë numri i të pranishmëve ishte më i lartë sesa zakonisht. Nuk mungojnë as tifozët e ardhur nga Rrogozhina për të mbështetur Egnatian. Ja momentet më pikante nga “Panorama Sport”.

WhatsApp Image 2025-01-27 at 11.10.30

* Bën habi mos prania e mbrojtësit Juriç as në stol te Vllaznia, ku për mbrojtësin nuk ka informacion nëse ka pasur shqetësim fizik apo lënia jashtë e tij ishte një vendim teknik nga ana e trajnerit Brdariç.

* Dy lojtarët më të vjetër në fushë janë dy kapitenët, Balaj 34-vjeçar te Vllaznia dhe Aleksi 33 vjeç tek Egnatia.

* I pranishëm në shkallët e stadiumit ishte edhe Alen Sherri. Portieri i cili ka luajtur për Vllazninë, por është shpallur kampion me Egnatian sezonin e kaluar dhe tani si pjesë e Kaljarit në Serinë A, gjeti kohën të ndiqte nga afër këtë takim. Kaljari i tij luajti ditën e premte në Torino.

* Brdariç këshillon shpesh Çobën që t’i qëndrojë sa më afër Kasës duke mos i lënë hapësirë.

* Totalisht i qetë qëndron Tetova kur ekipi i tij kalon në avantazh. Trajneri nuk impresionohet aspak duke i kërkuar përqendrim ekipit.

* Deliu i “hakërrehet” anësorit për një rivënie me duar që në fakt ishte akorduar në favor të Vllaznisë. Gjest që sjell të qeshura mes tifozëve.

* “Shpërthen” stoli i Vllaznisë dhe gjithë stadiumi ndaj gjyqtarit. Në minutën e 36- të kërkohet penallti pas një pengimi të Males në zonë. Madje, Brdariç nuk i kursen as duartrokitjet ironike ndaj Latës.

* Tifozët shkodranë e “kanë” me Brdariç kur ky i fundit vendos të hedhë në fushën e lojës Krymin dhe Jagon. “Na duhet gol” janë fjalët që mbështetësit kuqeblu i drejtohen gjermanit.

* Balaj kërkon penallti në zonë, teksa Aleksi shkon dhe i thotë të çohet dhe e kap me duar. Ngrihet kapiteni i shkodranëve dhe aty nis tensioni mes të dyve. Është kryesori që ndan kapitenët të cilët nisin me shkëndijat e “Topit të Artë” që më herët, teksa janë të dy kandidatë. Sot në mbrëmje do të jepet edhe çmimi për lojtarin më të mirë në Superiore për 2024-n.

* “Çmendet” Tetova me mbrojtjen e tij, ku në minutat e fundit gjenden zbuluar me Gruden që humbet një rast “të artë” përballë Dajsinanit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL