Pikantet e Elbasani-Tirana/ Hamiti salto në fushë, tifozët sherr para dhe pas ndeshjes
Në ndeshjen e djeshme pati disa të veçanta. Gazeta po ju sjell disa prej tyre.

– Ashtu siç pritej, ka pasur një interesim të kënaqshëm nga ana e tifozërisë, ku ishin afro 4000 të pranishëm. Nuk munguan as ultrasit bardheblu.
– Në momentin që Hamiti bëhet gati t’i bjerë bilbilit për nisjen e lojës, është portieri Selmani që i prish planet. Ai mbante një top në duar, duke detyruar kryesorin që t’i tërheqë vëmendjen.
– Që në minutën e dytë nisin problemet në fushë, me tifozët e Elbasanit që nuk lejojnë bardheblutë të gjuajnë këndoren, duke hedhur kapsolla në fushë. Në një moment goditet edhe Mici.
– Duke parë riskun për incidente, në mes të dy tifozërive ishin vendosur dy kordonë me policë të forcave speciale, për të parandaluar çdo incident të mundshëm mes tyre.
– Gjithsesi, përpos masave nuk kanë munguar sherret mes grupe tifozësh, ku është dashur ndërhyrja e policisë për t’i ndarë.
– Në minutat shtesë të pjesës së parë ka një luhatje tensioni te sistemi i ndriçimit, që për pak dha iluzionin se do të fikeshin.
– Nisja e së dytës solli edhe ndezjen e flakadanëve nga ana e ultrasve bardheblu. Elbasanasit i ndezën në fillim dhe në mesin e së dytës.
– Në minutën e 62-të ka ilaritet në stadium, pasi gjyqtari Hamiti rrëshqet dhe rrëzohet. Gjithsesi, menjëherë e merr veten dhe çohet në këmbë.
– Në minutën e 68-të, asisteni Burgu akordon një pozicion jashtë loje për Tiranën, por kryesori e sheh dhe vijon lojën, duke lënë aksionin të vijojë. Moment që solli irritim në tribuna nga ana e tifozëve të Elbasanit.
– Te goli i barazimit ka thyerje të stolave dhe hedhje të tyre në fushë në sektorin e tifozëve të Elbasanit.
– Në fund të ndeshjes nuk munguan as përplasjet në distancë mes tifozërive, ku u desh ndërhyrja e forcave speciale të neutralizonte situatën. Verdheblutë nga poshtë stadiumit dhe bardheblutë brenda, të cilët u lanë në sektorin e tyre deri kur të largoheshin vendasit.
PANORAMASPORT.AL













