Pikantet e Elbasani-Dinamo/ “Një skuadër” në tribunë, Xhaja irriton ekipet
Sfida mes Elbasanit dhe Dinamos nuk prodhoi vetëm gola dhe raste për shënim, por edhe mjaft momente interesante jashtë kronikës së lojës.
Atmosfera e krijuar nga tifozët verdheblu, ndërhyrjet e forta që në minutat e para, si dhe episodet me kapsolla që detyruan arbitrin të ndalë lojën, i dhanë ndeshjes një ngarkesë të veçantë emocionale. Më poshtë, Panorama Sport sjell disa nga detajet më pikante të këtij takimi.
– Të pranishëm në stadium ishin rreth 2500 tifozë, të gjithë në mbështetje të skuadrës së Elbasanit, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë për vendasit.
– Juxhin Xhaja u detyrua t’i tërheqë vëmendjen që në minutën e dytë Bernard Berishës, për shkak të ndërhyrjeve të ashpra.
-Nani, i pozicionuar në krahun ku ishin përqendruar tifozët e Elbasanit, u shfaq i pakënaqur me kapsollat e hedhura pranë tij, duke reaguar me gjeste.
– Në minutën e 33-të, Juxhin Xhaja ndali lojën për shkak të hedhjes së kapsollave. Kapiteni Emiljano Musta ndërhyri për të qetësuar tifozët, ndërsa u bë edhe thirrje nga spikeri i stadiumit.
– Elbasanasit shfaqën irritim për mosndaljen e menjëhershme të lojës, në një moment kur Diallo ishte i shtrirë në tokë dhe kërkonte ndihmën e stafit mjekësor.
– Dinamo kishte një gjysëm ekipi në tribunë për shkak dëmtimesh, teksa u panë bashkë një pjesë e tyre. Hoxha, Qefalija, Aliaj dhe Neziri u panë bashkë në tribunë.
– Usni Ismaili shihet të dalë duke çaluar nga stadiumi në përfundim të ndeshjes, për shkak të ndërhyrjes që pësoi në fushë nga Bledar Lila.
PANORAMASPORT.AL













