Pikantet e Egnatia-Breidablik/ 5000 tifozë, por irritohen me gjyqtarin (E PLOTË)
Për herë të parë një ndeshje Champions League luhej në Rrogozhinë. Stadiumi ishte i mbushur plot. Të paktën, 5000 tifozë ishin të pranishëm në impiant.

– Tifozët nisin të hyjnë në stadium afro dy orë para, duke filluar të mbushin në këtë mënyrë edhe tribunat. Nuk munguan as disa islandezë në tribunën qendrore, të cilët ishin veshur me fanellën e gjelbër të skuadrës së tyre, por që përkonte edhe me të rrogozhinasve.
– Presidentin e Egnatias, Agim Demrozi, nuk e zë vendi. Ai preferoi që të zbriste në fushë dhe të shihte nga afër nxemjen që po bënte ekipi i Egnatias para ndeshjes.
– Të parët që lënë fushën për t’u futur në dhomat e zhveshjesh, janë rrogozhinasit, për t’u ndjekur më pas nga rivalët e tyre islandezë.
– Para fillimit të ndeshjes, fusha “pushtohet” nga flamujt e ekipit të Egnatias me një flamur shqiptar në mes.
– Egnatia ka nderuar ish-kapitenin e saj, Renato Malota, i cili lë kështu edhe futbollin e luajtur. Presidenti Agim Demrozi i dhuroi edhe një certifikatë mirënjohjeje, ndërsa mbrojtësi bëri xhiron e fundit rreth fushës, për të marrë duartrokitjet e tifozëve të tij. Madje, ultrasit shfaqën edhe një baner falënderues për të.
– Në Rrogozhinë e konsideronin festë dhe u munduan ta bënin të tillë në të gjitha dimensionet e saj. Në momentin që ekipet u rreshtuan në fushën e lojës, u ndezën edhe fishekzjarret.
– Qortimet dhe direktivat e para i merr Dajsinani. Tekniku Tetova i flet që në minutën e pestë të sfidës.
– Në minutën e 14-të, Tetova sheh që diçka nuk shkon në lojën e të tijve dhe bën ndryshimet taktike në fushë, edhe për shkak të ndryshimit të detyruar me largimin e Ndrecës për Poçin.
– Tekniku i miqve del “huq” me bidonët e ujit. Detyrohet të provojë disa herë radhazi për të gjetur një të mbushur për të pirë, pasi ato pranë tij ishin bosh.
– Më disa vendime të dyshimta të tij, arbitri irritoi shpeshherë vendësit, me tifozët që ishin më të irrituar ndaj boshnjakut.
– Tetova vë duart në kokë te rasti i Bakajokos në të 71-ën, ku godet shumë keq me kokë pas një krosimi në zonë. -Tek Egnatia kishte disa debutime, duke filluar nga Poçi dhe Gruda.
PANORAMASPORT.AL













