Pikantet e Dinamo-Partizani/ Derbi në “silent mode”, tifozët vijojnë injorimin
Për të ardhur keq që një derbi “katandiset” me afro 500 të pranishëm në tribuna. Ishte aq qetësi, sa edhe në televizion dëgjoheshin bisedat e futbollistëve. Gjithsesi, nuk munguan ultrasit e kuq, që mbështetën skuadrën gjatë gjithë sfidës.

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes së djeshme, ku Dinamo mposhti minimalisht Partizanin në “Elbasan Arena” me gol të Zabërgjës. Kronika e këtij derbi mund të përkufizohet me spektakël në fushë dhe heshtje anës saj, në tribuna.
* Para startit të sfidës, u bëhet një kontroll rrjetave nga ana e punëtorëve, duke qenë se ka ndodhur shpesh që të kenë probleme, edhe për shkak të ndeshjeve të shumta që luhen. U mendua t’u paraprinë problemeve pa i kontrolluar asistentët.
* Ekipet e nisin ndeshjen me një minutë heshtje në nderim të Saimir Demit. Gazetari i njohur sportiv u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 57-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
* Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, tërbohet me Meksin pas një krosimi jo të saktë të tij, duke i thënë: “O Meksi, po pse kroson kot mo, gjithë ajo zonë e lirë aty për të ecur dhe shkon e kroson”.
* Pas një largimi jo të mirë të topit nga ana e Qirkos, është kapiteni Preka ai që ia bën me shenjë që ta marrë qetësisht dhe të tregojë kujdes.
* Kapuçat e xhupave shërbejnë për të dy trajnerët, Daja dhe Abilaliaj, si mburojë për t’u mbrojtur nga shiu, që e shoqëroi sfidën në pjesën më të madhe të saj. Fatmirësisht terreni i stadiumit të Elbasanit është fantastik dhe nuk pati probleme.
* Për afro tetë minuta skuadra e Dinamos luajti me një lojtar më pak. Pas dëmtimit të Lorran që lë fushën e lojës, nuk kishte asnjë futbollist të gatshëm për ta zëvendësuar, derisa futet Rufati.
* Starti i pjesës së dytë u vonua paksa për faktin se përkoi me iftarin. Nga ajo sa u pa, i vetmi që me sa duket agjëronte nga ekipet në fushë, ishte mbrojtësi i Dinamos, Agron Rufati.
PANORAMASPORT.AL













