Pikantet e Bylis-Partizani/ Bytyçi mban Berkon mbi shpinë, Gegën e “tërbon” mesfusha. Mjeku i Partizanit shëron Bintsukën dhe… (E PLOTË)
“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes Bylis-Partizani, e luajtur të shtunën në Ballsh në stadiumin “Adush Muçaj” dhe e fituar nga vendësit me një gol të Fabian Përndrecës. Në stadium nuk kishte prani të madhe të tifozëve, rreth 600 të pranishëm në stadium.

* Ndeshja nis me një minutë heshtje në nder të legjendës së futbollit, Paulin Ndoja, që u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare vetëm para pak ditësh. Në ditët e fundit po ashtu humbi jetën në mënyrë tragjike në fushë edhe futbollisti 28-vjeçar, Bledar Hajdari, në një ndeshje të Sunday League mes Dajtit dhe Luminesen.
* Bylisit i ndryshojnë planet që në minutën e 17-të, kur Peralta pëson një dëmtim dhe i duhet të lërë fushën e lojës. Në vendin e atij aktivizohet Malomo.
* Skënder Gegës i duhet të udhëzojë të tijtë thuajse për çdo lëvizje. Ai dëgjohet gjatë gjithë kohës të japë udhëzime, teksa po aq përpiqet edhe me gjestet e tij. “O Kote, po bëre gjithë atë punë, ku e çon ashtu topin”, dëgjohet në një moment trajneri, që vlerëson veprimin e mesfushorit, por e kritikon për zgjidhjen në momentin e fundit gjatë një aksioni në të 15-ën.
* Partizani konsumon zëvendësimin e parë që në minutën e 25-të, me Mehmetin, që i lë vendin Bintsukës. Gjatë lojës lojtari nuk reklamon ndonjë dëmtim dhe arsyeja nuk kuptohet.
* Në të 32-tën topi del në anësore dhe Berko në përpjekje për të kapur sferën i ngjitet Bytyçit mbi shpinë dhe qëndron pak më gjatë seç duhej. Mbrojtësi i Partizanit e merr me sportivitet, ndërsa gjyqtari Xhaja këshillon lojtarin e Bylisit.
* Herolind Shala, i prezantuar vetëm së fundmi, merr mundësinë e debutimit në minutën e 57-të, duke u aktivizuar në vendin e Kotes.
* Gjatë një momenti kur Bintsuka ishte i dëmtuar, Përndreca afrohet te mjeku i Partizanit, Ergys Rexha dhe i kërkon t’i hedhë pak spraj ftohës në dorë, me Rexhën, që nuk heziton. Në atë moment Xhaja i tërheq vëmendjen lojtarit të Bylisit.
* Gega vijon në çdo moment të jetë kërkues ndaj të tijve dhe i këshillon në çdo lëvizje që bëjnë. “O Ismaili, më luajte mendsh sot, hajde more këtu”, dëgjohet trajneri në një moment kur kritikon mesfushorin e skuadrës së tij.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













