Përballja direkte, Ruzgis: Ia kam marrë dorën, i shënoj përsëri Flamurtarit
Te Vora vijojnë përgatitjet për sfidën e së shtunës, kundër Flamurtarit, ku pritet të jetë një ndeshje e fortë me rivalitet, pasi të dyja skuadrat kërkojnë tre pikët. Por vorakët e kanë çelësin për vlonjatët e ai është gjermano-lituanezi Manfredas Ruzgis, që në përballjet kundër Flamurtarit gjithnjë paraqitet si një lider për mposhtjen e tyre.

I ka shënuar 4 gola në dy sezonet e fundit dhe përsëri është i gatshëm që të shënojë përsëri dhe vlerat e golave të tij të jenë të shprehura në pikët maksimale. Ai gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” do të shprehet se e pret me shumë dëshirë dhe se ja din mënyrën se si ta mposhtë Flamurtarin. Manfredas Ruzgis është i etur për të shënuar dhe këtë ai pret ta konkretizojë në ndeshjen e së shtunës. Fillimisht ai u shpreh për presionin që ndjen një sulmues kur nuk shënon.
“Tashmë dihet për sulmuesin se çfarë presioni ndjen, kur nuk arrin të shënojë. I prishet qetësia, rri nën presion që të shënojë sa më parë. Mirëpo kur ekipi ecën në rrugë të mbarë e mendoj, se nuk është dhe aq i fortë ky presion, pasi prioritet ne kemi fitoret dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Me thënë të drejtën, unë nuk futem në lojë me qëllimin ose të shënoj o s`ka”, tha ai. Ruzgis më tej sqaron edhe rëndësinë e këtij takimi. “
Për mua primare është që të kalojmë me sukses këtë takim, pasi është një përplasje ku fitorja merr vlera të dyfishta ndaj një rivali në luftën tonë të mbijetesës”, vazhdoi më tej. Për golin e tij mendon ndryshe. “Goli im do të vijë dhe për këtë nuk jam shumë i shqetësuar. Sa për ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit, ne kemi qetësinë e rezultateve të favorshme të dy ndeshjeve të para, ku kemi fituar dhe barazuar me ta, që na jep edhe një qetësi para këtij takimi.
Të gjithë jemi të përqendruar maksimalisht tek ky takim, që është favor për ne, sepse ne e luajmë në shtëpinë tonë. Unë besoj se Vora do të mund t’ia dalë edhe në këtë përballje të tretë mes tyre, pasi dhe rezultatet e fundit pozitive, nuk janë rastësore, por një formë e mirë, që po gëzon ekipi ynë. Unë e kam pasur ndeshje fati përballjen kundër Flamurtarit dhe kam ditur, që të shënoj, madje edhe një tripletë kur ishim në Kategorinë e Parë e kjo më duket, sikur ja kam marrë dorën kësaj skuadre. Shpresoj që t’i shënoj sërish Flamurtarit. Por e theksoj për mua nuk është shqetësuese nuk i shënoj atyre, por ne na intereson rezultati pozitiv, që do të thotë fitoren e tre pikëve”, ka përfunduar Manfredas Ruzgis para kësaj sfide.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













