Partizani-Teuta/ 3 pikët detyrim, barazimi nuk kënaq asnjë
Partizani pret në “Arenën e Demave”, Teutën me kryeqytetasit që vijnë pas disfatës me Vorën në transfertë (1-0) të shtrënguar me synimin e vetëm për të dalë me tre pikët.
Të kuqtë kanë një bilanc pozitiv nga dy përballjet me durrsakët në këtë sezon duke mos humbur në asnjë nga dy takimet ndërsa kanë grumbulluar katër pikë pas një barazimi pa gola në fazën e parë dhe më pas me fitoren spektakolare me përmbysje 3-2 në “Niko Dovana”.
Për këtë ndeshje, trajneri Oltijon Kërnaja nuk do të ketë të gatshëm mbrojtësin Altin Bytyçi. Ky i fundit, një nga lojtarët me më shumë minuta në prapavijën e kryeqytetasve, do ta ndjekë sfidën nga tribuna për shkak se ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë teksa vendin e Bytyçit në 11-tëshen titullare pritet ta marrë Andi Janjeva. Aktualisht, Partizani mban vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit me 23 pikë të grumbulluara në 19 javë kampionat, ndërsa Teuta renditet e pesta me vetëm tre pikë më shumë se kryeqytetasit (26 pikë).
Të dyja skuadrat nuk vijnë nga një formë pozitive në ndeshjet e fundit me Partizanin që ka humbur tre ndeshjet e fundit ndërsa Teuta nuk njeh fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, pesë barazime dhe një fitore. Këtë sezon, të dyja ekipet synojnë që në fundin e kampionatit të renditen mes katër më të mirave duke u kualifikuar për në Final Four ndaj kjo ndeshje mes tyre merr një rëndësi të veçantë pasi pikët janë jetike për të dyja skuadrat.
PANORAMASPORT.AL













