Partizani kërkon zëvendësuesin e Bytyçit në mbrojtje, tregu afrikan mbetet një nga pistat për të kuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2026 | 19:13

Partizani kërkon zëvendësuesin e Bytyçit në mbrojtje, tregu afrikan mbetet një nga pistat për të kuqtë

Largimi i Altin Bytyçit ka lënë një boshllëk të rëndësishëm në repartin defensiv të Partizanit dhe tashmë drejtuesit e klubit kanë nisur punën për të gjetur futbollistin që do të zërë vendin e tij në sezonin e ardhshëm.

bytyci

Mbrojtësi i larguar ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë viteve të fundit dhe një prej elementëve më të aktivizuar në kampionatin e kaluar. Për këtë arsye, zëvendësimi i tij konsiderohet një nga prioritetet kryesore të merkatos së verës për klubin kryeqytetas. Në krye të kësaj pune qëndron drejtori sportiv Agim Ibraimi, i cili prej javësh po studion tregun dhe po analizon profile të ndryshme që mund të përshtaten me kërkesat e skuadrës.

Alternativat nuk mungojnë dhe në tavolinën e drejtuesve ndodhen disa emra që po vlerësohen me kujdes. Një nga pistat më të nxehta lidhet me tregun e huaj, i cili duket se preferohet edhe në këtë rast nga drejtuesit e të kuqve. Partizani ka shfaqur interes për një qendërmbrojtës afrikan, një profil që konsiderohet interesant për karakteristikat fizike dhe potencialin që ofron. Megjithatë, pavarësisht kontakteve dhe vlerësimeve që po bëhen, klubi nuk ka ndërmend të nxitojë në marrjen e vendimeve. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se ende nuk është zyrtarizuar trajneri i ri i skuadrës.

Pikërisht kjo situatë ka bërë që shumë prej lëvizjeve të merkatos të mbeten për momentin në pritje. Drejtuesit duan që trajneri i ri të ketë fjalën e tij në ndërtimin e organikës dhe të japë miratimin përfundimtar për afrimet që do të realizohen. Në kampin e kuq ekziston bindja se bashkëpunimi mes drejtorit sportiv dhe trajnerit është thelbësor për të shmangur gabimet dhe për të afruar futbollistë që i përshtaten filozofisë së ekipit. Për këtë arsye, edhe çështja e qendërmbrojtësit që mund të zëvendësojë Bytyçin pritet të kalojë fillimisht në duart e teknikut të ri. Vetëm pas miratimit të tij mund të ketë hapa konkretë drejt finalizimit të një marrëveshjeje.

Nga ana tjetër, largimi i Bytyçit e bën edhe më të rëndësishme ndërhyrjen në mbrojtje. Partizani dëshiron të ketë alternativa të mjaftueshme në çdo repart dhe të shmangë problemet që u shfaqën gjatë sezonit të kaluar për shkak të dëmtimeve dhe mungesave. Kjo është arsyeja pse drejtuesit po tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e emrave dhe nuk duan të marrin vendime të nxituara. Objektivi është që skuadra të ndërtohet mbi baza të forta dhe të jetë konkurruese gjatë gjithë sezonit. Për momentin, gjithçka mbetet e lidhur me emërimin e trajnerit të ri.

Pasi të zyrtarizohet timonieri i ardhshëm, Partizani pritet të kalojë menjëherë në fazën operative të merkatos dhe të nisë konkretizimin e lëvizjeve që janë përgatitur prej kohësh. Mes tyre, një nga çështjet më urgjente do të jetë pikërisht gjetja e pasuesit të Altin Bytyçit, një futbollist që la gjurmë te të kuqtë dhe që tashmë ka mbyllur aventurën e tij në kryeqytet pas tre sezonesh me fanellën e Partizanit.

PANORAMASPORT.AL