Partizani bind në Korçë, djemtë e volejbollit kalojnë me 3 sete kundër Skënderbeut
Pasi kishte qëndruar një javë pushim, Partizani është rikthyer në kampionat duke siguruar 3 pikët e radhës në Superligën e volejbollit të meshkujve. Të kuqtë e Ylli Tomorrit patën një provë bindëse në transfertën e Korçës, duke e mundur Skënderbeun me rezultatin 0-3 në ndeshjen përmbyllëse të javës së katërt.

Takimi i luajtur në pallatin sportit “Tamara Nikolla” u kontrollua në të tria setet nga miqtë, të cilëve u mjaftuan 1 orë e 16 minuta për ta certifikuar fitoren. Partizani ishte gjatë të gjithë kohës në epërsi, në të tria setet, duke i fituar ato bindshëm: 19-25, 18-25 dhe 17-25. Paraqitje super nga Leonardo Doda në ofensivën e kuqe, protagonist me 22 pikë. 14 pikë për Norgen Barutin dhe 12 për Ledion Martiron.
Për Skënderbeun shënuesi më i mirë në këtë takim ishte amerikani Connor Hanks, autor i 12 pikëve. Në dy ndeshjet hapëse të javës së katërt, sfida të zhvilluara të premten, Tirana fitoi në transfertë kundër Elbasanit me rezultatin 0-3, ndërsa Vllaznia mposhti në shtëpi Erzenin me rezultatin 3-1. Shkodranët kryesojnë kampionatin pas katër javësh, por me një ndeshje më tepër se bardheblutë e vendit të dytë.

PANORAMASPORT.AL













