Pajaziti: “Apolonia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit”. Kërnaja: “Kohët e vështira krijojnë burra të fortë”
Apolonia do të presë sot, në orën 14:00, Valbonën për javën e 28-të, të kampionatit. Trajneri Sedat Pajaziti, në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaroi se është i bindur dhe ka besim se do të jetë një ndeshje që ekipi i tij do të marrë maksimumin.
Apolonia e ka nisur me luhatje fazën e tretë, çfarë nuk shkoi?
Kemi humbur ndaj dy skuadrave që po bëjnë shumë mirë, si Besa dhe Flamurtari. Me Pogradecin është një pikë e fituar me meritë, nga ana tjetër, Burreli është një “kockë e fortë” për të gjithë. Mendoj se në këto 5 ndeshje kemi ardhur të ezauruar në aspektin psikologjik, gjë që na bëri të humbnim shumë nga loja jonë.
Jeni -6 pikë me rivalët, mendoni se do ta arrini “play off”-in?
Unë, së bashku me këta djem, po luftojmë në çdo ndeshje për të arritur në “play off”. E kemi potencialin dhe cilësinë si skuadër për të bërë më mirë në vijim. Thjesht duhet të heqim barrën e rëndë psikologjike dhe të shohim përpara dhe për të marrë maksimumin javë pas jave. Kemi mentalitetin dhe ambicien e duhur për një fund kampionati të mirë.
Si është gjendja e skuadrës para Valbonës dhe çfarë prisni?
Gjendja është e mirë. Grupi i lojtarëve është i motivuar. Të gjithë kemi uri dhe duam te rikthehemi te fitorja. Ndeshja me Valbonën është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, me plot dëshirë dhe shumë entuziazëm. Duhet të mbledhim forcat dhe të luftojmë në një drejtim. Ato raste që do të na jepen, t’i shfrytëzojmë në maksimum. Valbona meriton respekt maksimal, pasi mbrohet mirë, duke lënë pak hapësira, si dhe shfrytëzon në maksimum kundërsulmin si ekip. Ajo që unë dua dhe pres nga ekipi, është që të luajmë ashtu siç dimë ne dhe të tregojmë se jemi një grup, që jep gjithmonë maksimumin. Kam besim se ekipi do të dijë të menaxhojë ngarkesën para tifozëve të vet.
A e shihni këtë ndeshje, si “trenin” e fundit për “play off”-in?
Jo vetëm kështu, por edhe si një mundësi për të dalë nga vorbulla e “play out”-it. Objektivi është ta dominojmë dhe ta fitojmë ndeshjen, si dhe për të treguar që Apolonia nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit. Duhet të vrapojmë shumë, të fitojmë dyluftimet dhe të jemi cinikë, nëse duam të jemi në fazën “play-off”, në të kundërt, vështirësitë do të rriten. HILMI SALIU
Valbona do të luajë sot në Fier dhe për tropojanët thuajse ka marrë fund shpresa për mbijetesë. Lidhur me këtë takim, trajneri Oltijon Kërnaja, për “Panorama Sport”, tha: Valbona punën me mbijetesën e ka mbyllur që në dhjetor-janar, kur humbi 0-4 me Burrelin, 2-3 me Pogradecin dhe 2-4 me Lushnjën. Dhe, në të tria këto ndeshje ishte në avantazh gjatë pjesë së parë me dy gola. Djemtë luajnë për Valbonën dhe për veten e tyre, se futbolli do të vazhdojë edhe pas 19 prillit, kur mbyllet kampionati. Si çdo përballje tjetër, edhe ndaj Apolonisë do të jetë e vështirë. Renditja dhe rezultatet tregojnë një pjesë të së vërtetës. Apolonia është një ekip më cilësor. Kemi 4 javë që po luajmë me një ekip të cunguar. Vidrica është një pikë kyçe e ekipit dhe do të ndihet mungesa e tij. Problemi i vetëm në këtë grup të vogël është se disa lojtarë po luajnë jashtë pozicioneve të tyre. Çdo ekip në botë e ka të vështirë të luajë 3 ndeshje në 7 ditë me vetëm 11 lojtarë në dispozicion. Por një fjalë e urtë thotë: Kohët e vështira krijojnë burra të fortë”. ABDULLA DUSHKU
PANORAMASPORT.AL













