Paga të ulëta dhe një “laborator”, Partizani ndryshon strategji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2025 | 22:47

Paga të ulëta dhe një “laborator”, Partizani ndryshon strategji

Partizani ka ndryshuar strategji. Nëse deri para 23 vitesh të kuqtë ishin klubi që transferonin lojtarë me nga 10 mijë euro a më shumë në muaj, tani nuk i nxjerrin lekët kollaj nga xhepi.PARTIZANIPresidenti Demi nuk merr më lojtarë me paga të larta, edhe pse kjo do të ketë kosto sportive. Veçanërisht në dy merkatot e fundit te Partizani po ndiqet një filozofi krejt ndryshe, e mbështetur më së shumti në planin afatgjatë.

PAGAT Te 17 herë kampionët, trendi i pagave është i një niveli mesatar, madje për një realitet tjetër edhe i ulët. Shumica dërrmuese e lojtarëve të kuq në skuadrën aktuale kanë paga që nisin nga 1500 euro dhe shkojnë deri në 3500 euro. Përjashtim bëjnë emra si Eleke, Vujnoviç apo ndonjë senator si Taipi, që falë eksperiencës, CV-së dhe cilësive kanë firmosur kontrata më të larta, që variojnë nga 4000 deri në 7000 euro, të paktën sipas burimeve jozyrtare, pasi, siç dihet, pagat mbeten gjithnjë informacion konfidencial për klubet tona. Nëse do të bënim një paralelizëm, të tilla shifra tek Egnatia apo edhe Dinamo deri diku, janë standard normal i pagave.

“LABORATORI” Jo më kot klubi i kuq shkriu ekipin U-21 të Partizanit për të krijuar Partizanin B, që nisi nga Kategoria e Tretë dhe është drejt kalimit në të Dytën. Kjo skuadër nuk është e destinuar për të korrur sukses, por si një “laborator” për të provuar, rritur apo afirmuar të rinjtë që Partizani po mbledh nga tregu shqiptar dhe ai i huaj. Përqendrimi më i madh duket se është nga Afrika. Suksesi me Maget, Sembene dhe Matondon ka shtyrë klubin të vijojë ndjekjen e kësaj strategjie për t’i formuar këta lojtarë dhe më pas për t’i shitur për shifra të konsiderueshme. Aktualisht nën drejtimin e Kalarit te Partizani B janë të pranishëm emra premtues si Jata, Mintongo, Diallo apo Ogunleje, që vijnë nga Afrika dhe synohet që në të ardhmen t’i bashkohen ekipit të parë dhe pasi të japin kontributin e tyre, të shiten në kampionate më të forta jashtë vendit.

“FATURA” Kjo strategji, që u ngjan shumë klubeve të mëdha në Europë, ka “faturën” e saj në ecurinë aktuale të skuadrës. Pas shitjes së lojtarëve kryesorë, Partizani nuk zgjodhi të sjellë zëvendësues me paga të larta, por t’i zëvendësojë me djem të rinj, që kërkojnë kohën e tyre për të treguar veten, nëse janë apo jo të gatshëm për të ringritur Partizanin. Partizani në këto javë ka treguar një nivel të ulët të lojës dhe ulje të cilësisë. Të kuqtë janë në lojë për t’i fituar të dyja trofetë, por në asnjërin nuk hyjnë si favoritë. Sipas gjasave, strategjia e re e klubit mund të ndikojë edhe te mungesa e trofeve për një periudhë kohe, derisa skuadra të konsolidohet.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL