“Nuk kemi më çfarë të humbim”, Pogradeci dhe ëndrra Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2026 | 11:51

“Nuk kemi më çfarë të humbim”, Pogradeci dhe ëndrra Superiore

Pogradeci është vetëm 90 minuta larg rikthimit në Kategorinë Superiore dhe në qytetin liqenor tashmë të gjithë besojnë te realizimi i ëndrrës.

pogradeci

Pas suksesit dramatik ndaj Besës, ku u deshën 120 minuta lojë dhe një gol i Indio Oliverës në shtesa për të siguruar finalen e “play off”-it, skuadra e Samuel Çelës do të përballet sot me Teutën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në sfidën që vendos fatin e sezonit. Ashtu si një vit më parë, liqenorët kanë mbërritur në ndeshjen finale të “play off”-it dhe këtë herë synojnë të mos e lënë t’u shpëtojë mundësia për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Motivimi në kampin pogradecar është maksimal, jo vetëm për rëndësinë sportive të ndeshjes, por edhe për bonusin financiar që presidenca ka vendosur prej kohësh për ngjitjen në Superiore. Bëhet fjalë për një premio prej 100 milionë lekësh, që pritet të jetë një shtysë ekstra për skuadrën.

APELI I KLUBIT Në prag të sfidës me Teutën, klubi ka ndezur atmosferën edhe në rrjetet sociale, duke publikuar një apel emocionues për tifozët dhe ekipin, në një moment që konsiderohet historik për klubin. “Ne kemi vetëm një mision: fitoren. Nuk kemi më çfarë të humbim. Elita fitohet me djersë, sakrificë dhe shpirt gare. Le të dëgjohet zëri i Pogradecit, le të ndihet krenaria në çdo cep të stadiumit. Ne luajmë me zemër dhe me besimin se asgjë nuk është e pamundur për ata që nuk dorëzohen kurrë”, shkruhej mes të tjerash në reagimin e klubit. Pogradecarët kanë falënderuar edhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa kanë bërë thirrje për unitet në sfidën më të rëndësishme të sezonit.

ÇFARË THA ÇELA Pas triumfit ndaj Besës, trajneri Emiljano Çela u shfaq optimist për shanset e skuadrës së tij ndaj Teutës, duke theksuar se Pogradeci meriton të jetë pjesë e elitës. “Është një ndeshje Superiorje, sepse edhe Pogradeci është ekip Superiorje. Ne punojmë dhe stërvitemi në mënyrë profesionale dhe synojmë të jemi pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Shanset janë të barabarta dhe ne do të bëjmë lojën tonë”, deklaroi Çela. Tekniku i liqenorëve vlerësoi grupin që ka në dispozicion, duke evidentuar harmoninë mes lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve, ndërsa pranoi se mungesa e Kazim Ogunleje për shkak kartonësh do të ndihet shumë në këtë finale. Megjithatë, në kampin pogradecar besimi mbetet i madh se ëndrra e rikthimit në Superiore mund të bëhet realitet.

PANORAMASPORT.AL