Një tjetër bllokim merkatoje për klubet shqiptare, FIFA shton të radhës për surprizën e pakëndshme të sezonit
Kanë mjaftuar pak ditë në vitin 2026 që FIFA t’u kthehet vendimeve për bllokimin e merkatos së klubeve shqiptare, të cilat kanë humbur gjyqe ndaj ish-futbollistëve për mospagesa rrogash, e nuk i zbatojnë vendimet e marra nga ndërkombëtarët.

Këtë radhë, FIFA ka dyfishuar një dënim, duke vendosur të dytin për klubin e Valbonës. I pari ishte dhënë në muajin shtator ndaj tropojanëve dhe është ende në fuqi, ndërsa që nga dita e sotme, ka një vendim të dytë për bllokimin e merkatos së tyre.
Problemi është se në këtë pikë nuk dihet se kur mund të shlyhen këto detyrime nga Valbona ndaj lojtarëve me të cilët ka humbur gjyqin për të rihapur merkaton. Klubi ra përsëri në Kategorinë e Dytë, por pak ditë para se të fillonte sezoni, bëri të ditur se ekipi tërhiqej nga gara dhe u shpërbë plotësisht, duke lënë kampionatin. Nuk dihet ende nëse Valbona do të kthehet të funksionojë në edicionet e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL













