Nikaj pret të tjera afrime, ka dilema për disa lojtarë
Tërbuni po stërvitet prej një jave në Pukë, në fushën e stadiumit “Ismail Xhemali”, nën drejtimin e trajnerit Samuel Nika. Ekipi tani ka filluar të funksionojë në të gjitha repartet, megjithatë trajneri Nikaj pret përforcime të tjera në ditët në vijim. “Lojtarët e afruar në merkato te Tërbuni kanë filluar të marrin formën e duhur fizike.
Së fundmi në ekip janë afruar edhe lojtarë të huaj, si mbrojtësi Rudoviç, mesfushori nga Kosova, Gavazaj, si dhe sulmuesi brazilian. Këta të tre kanë bërë një paraqitje të mirë gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore. Së fundmi kemi zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit, ku të gjithë lojtarët bënë një paraqitje të mirë. Skuadra po punon në normalitet me dy seanca stërvitore në ditë.
Lojtarët janë të përkushtuar totalisht, pasi janë të ndërgjegjshëm, sepse kjo fazë është shumë e dobishme për të hedhur themele të forta për ecurinë në sezonin e ri. Çdo gjë po ecën ashtu siç ishte planifikuar. Lojtarët po e përballojnë mjaft mirë ngarkesën, gjë të cilën e tregon edhe fakti se nuk kemi asnjë të dëmtuar”, tha trajneri.
Merkato
“Prej ditësh po testojmë disa lojtarë që janë afruar në ekip në këtë merkato. Ka nga ata që kanë dhënë shenja pozitive, por akoma nuk është vendosur për të ardhmen e tyre. Aktualisht me ekipin po përgatiten 30 futbollistë. Njëkohësisht Tërbuni mbetet në merkato dhe, për këtë, është përkushtuar presidenca, kryetari i bashkisë dhe drejtuesit e tjerë. Gjëja më pozitive është se edhe kryebashkiaku i ri i Pukës ka dhënë një mbështetje të plotë për ekipin, ku nuk do t’i mungojë asgjë gjatë sezonit të ri. Këtë javë ne presim afrimin e disa lojtarëve cilësorë, të cilët do t’i provojmë më parë. Një lajm i mirë është rikthimi i Abaz Karakaçit, i cili u operua para disa ditësh”, përfundoi trajneri Nikaj. Sot pritet që ekipit t’i bashkohet sulmuesi Arbër Dhrami si dhe dy kosovarë që do të vijnë për provë. Ditmir Pema













