Nga tri sfidat te një mision dhe 9 pikë për të “blinduar” kreun, ja objektivi i Vllaznisë së Martinit
Pavarësisht vështirësisë që paraqet ndeshja e radhës në kampionat për Vllazninë, ku kuqeblutë do të luajnë në transfertë ndaj Partizanit, objektivi nuk ndryshon aspak për 9 herë kampionët e vendit tonë.
Kështu kuqeblutë udhëtojnë drejt kryeqytetit ditën e diel vetëm më një qëllim dhe ai është sigurimi i tre pikëshit të radhës. Kjo për të ruajtur kryesimin e Superiores, në një moment ku Elbasani është me pikë të barabarta me shkodranët, në kuotën e 23 të tillave. Teksa nga pas ndjekin edhe Egnatia me 19 pikë e Dinamo me 18 pikë, të cilat do mundohen të përfitojnë nga një ndalesë e mundshme e shkodranëve.
Megjithatë Vllaznia përveç ndeshjes së radhës patjetër kërkojnë të “përfitojnë” edhe nga kalendari i javëve të ardhshme. Me shkodranët që do të kenë përballë skuadrat që aktualisht nuk janë pjesë e “final 4” dhe në letër shikohen të “kalueshëm” nga ana e 9 herë kampionëve të vendit, gjithmonë, duke mos nënvlerësuar asnjë rival. Kështu pas Partizanit, kalendari prezanton një duel me Teutën në shtëpi për Vllazninë, ku në takimet si pritës shkodranët kanë qenë perfektë deri në këtë pikë të edicionit.
Duke fituar 6 nga 6 ndeshjet e zhvilluara në “Loro Boriçi” e duke marrë kështu pikët e plota. Pas durrsakëve, kuqeblutë do të jenë në transfertë ndaj Vorës, një tjetër kundërshtar i gjysmës së poshtme të tabelës.
Ndaj të cilëve po ashtu do synohet fitorja, me Vllazninë që në 3 ndeshjet e radhës në Superiore do të ketë si objektiv arritjen e 3 fitoreve për 9 pikë. Pikë që do ta mbanin në krye të kampionatit skuadrën e Martinit në gjysmën e fazës së dytë të tijën.
PANORAMASPORT.AL













