Nga Santosi tek Egnatia, rrëfimi i brazilianit që fitoi zemrat e tifozëve rrogozhinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2025 | 13:27

Nga Santosi tek Egnatia, rrëfimi i brazilianit që fitoi zemrat e tifozëve rrogozhinas

Fernando është një nga figurat më të dashura të Egnatias dhe një prej lojtarëve që ka lënë gjurmë në Superiore me paraqitjet e tij. Braziliani ka fituar respektin e tifozëve jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për karakterin e tij jashtë saj.

FERNANDO

Në një rrëfim të sinqertë për faqen zyrtare të klubit, Fernando flet për fëmijërinë e tij, rrugëtimin drejt futbollit profesionist, momentet më të bukura të karrierës dhe përvojën që po përjeton në Shqipëri. Ai ndalet tek atmosfera e veçantë që krijojnë tifozët e Egnatias, ndan kujtimet e paharrueshme me klubin dhe zbulon synimet për të ardhmen. Në fund, braziliani flet edhe për sezonin aktual dhe ndeshjen e nesërme me Flamurtarin në Vlorë.

Fernando, na trego pak për fëmijërinë tënde?

Fëmijëria ime ishte një nga më të bukurat. E shijova plotësisht, ashtu siç duhet ta shijojë një fëmijë. Në atë kohë nuk kishte celularë apo rrjete sociale. Luaja me lojërat klasike të fëmijëve si hedhja e balonave, loja me rruaza, me rrotulla, shikoja shumë filma vizatimorë dhe bëja shumë gjëra që i bënin fëmijët atëherë.

Si ishte rrugëtimi yt drejt futbollit profesionist?

Që i vogël kam pasur pasion të madh për futbollin. Kur pashë kombëtaren time të bëhej kampione bote në vitin 2002, i thashë nënës sime se një ditë do të bëhesha futbollist profesionist. Fillova të luaja në një shkollë publike në qytetin tim dhe aty u njoha me menaxherin dhe mikun tim të tanishëm, Marcos Fabiano, i cili ishte trajner dhe menjëherë pa tek unë potencial. Ai më çoi në një provë te Santos Football Club, ku kalova me sukses dhe aty ndërtova gjithë bazën e karrierës sime. Qëndrova në Santos për 12 vite.

Cila ka qenë këshilla më e vlefshme që ke marrë?

Nga miku dhe agjenti im, Marcos Fabiano. Ai më ka thënë gjithmonë: ”Puno shumë dhe beso te Zoti, sepse do t’ia dalësh dhe do të arrish qëllimet e tua”. Ai gjithmonë ka besuar tek unë që fëmijë dhe më ka mësuar të punoj më shumë se të tjerët, sepse sekreti qëndron te puna e palodhur.

Deri më sot, cili ka qenë momenti më i bukur i karrierës tënde?

Janë tre momente të veçanta: E para, ndeshja ime e parë si profesionist me Santos në vitin 2015, kur isha vetëm 19 vjeç. E dyta, fitorja si kampion me Bahia duke luajtur në të njëjtin ekip me binjakun tim, Flávio Medeiros, i cili tani luan në ligën saudite. Dhe e treta, një moment shumë i veçantë: fitimi i titullit kampion të Superiores në sezonin 2023/2024. Atë vit humba vëllain tim të përjetshëm, Raphael Duamena dhe i premtova që do të bëhesha kampion për të!

Çfarë ndryshimesh sheh mes futbollit në Brazil dhe në Shqipëri?

Janë kultura krejtësisht të ndryshme. Niveli në Evropë është pak më i lartë, gjë që është normale, sepse investimet janë shumë më të mëdha. Por Shqipëria po rritet nga viti në vit dhe shumë lojtarë po bien në sy nga skuadra ndërkombëtare. Shpresoj që Shqipëria të rritet gjithnjë e më shumë, sepse ka tifozë me pasion të madh që e meritojnë më të mirën.

Si u realizua transferimi yt te KF Egnatia?

Gjithmonë kam ëndërruar të ndërtoj një karrierë të bukur jashtë Brazilit. Sinqerisht, kur erdha në Egnatia nuk e njihja mirë klubin. Por erdha në vendin e duhur dhe gjeta njerëz me karakter që meritojnë respekt të plotë. Presidenti Demrozi është një njeri që meriton të jetë në majë, sepse punon shumë, ndryshe nga çdo klub tjetër ku kam qenë. Ajo që më bëri përshtypje është fakti që ai është gjithmonë në stërvitje, e ndjek çdo ditë nga afër situatën. Kjo bën diferencën, sepse ai e di çdo gjë që ndodh në klub. Besoj se suksesi ynë nuk është rastësi, është punë e madhe dhe e përkushtuar. Trajneri Tetova është gjithashtu një njeri që e admiroj shumë, ka ambicie të mëdha dhe dëshirë të madhe për të fituar. Jemi bashkë prej katër vitesh dhe kemi një marrëdhënie miqësore.

Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga qyteti i Rrogozhinës?

Më ka impresionuar mikpritja e njerëzve këtu. Ata më duan shumë dhe kjo më motivon çdo herë që hyj në fushë. Gjithmonë përpiqem të jap maksimumin për të shpërblyer dashurinë që më tregojnë.

Si është komunikimi yt i përditshëm me trajnerin dhe stafin teknik?

Është më i miri i mundshëm. Përveç profesionalizmit, ekziston edhe një marrëdhënie miqësore që bën diferencën. Falë kësaj, unë po arrij të tregoj futbollin tim më të mirë në fushë.

Si e vlerëson fillimin e këtij kampionati?

Nuk e nisëm në mënyrën më të mirë, por kjo është normale kur ka shumë ndryshime lojtarësh. Duhet kohë për t’u përshtatur. Megjithatë, besoj se kemi gjetur rrugën e fitoreve, gjë që na jep më shumë besim në vazhdimësi. Kemi një bazë të fortë lojtarësh që janë bashkë prej tre vitesh dhe kjo e lehtëson përshtatjen e të rinjve. Në ndeshjen e fundit, dy lojtarë të rinj shënuan dhe kjo i ndihmon shumë ata dhe ekipin. Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat tona.

Sot do të luani në Vlorë, si e parashikon këtë ndeshje?

Është një ndeshje e vështirë. Ata kanë lojtarë cilësorë që meritojnë respekt.

Nga të gjitha trofetë, cili është më i veçanti për ty dhe pse?

Titulli i Superiores, sepse ishte i pari dhe më i vështiri. Ishte hera e parë që klubi e fitoi këtë titull, duke fituar respektin e gjithë Shqipërisë.

Cili moment i këtij suksesi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tënde?

Çasti kur gjyqtari mbylli ndeshjen ndaj Partizanit që e fituam 1-0. U gjunjëzova në fushë dhe falënderova Zotin që puna dhe përpjekjet e mia u shpërblyen.

Cili ka qenë goli më i bukur që ke shënuar në karrierën tënde?

Goli i barazimit ndaj Partizanit më 18 shtator 2023.

Cilin lojtar të Egnatias do të veçoje si shokun më të mirë dhe pse?

Shokun tim Aleksi, sepse kemi luajtur gjatë bashkë dhe kuptohemi shumë mirë.

Cili ka qenë kundërshtari më i vështirë që ke përballur në Superiore?

Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, ekipi që më vështirësoi më shumë ishte Tirana, në sezonin 2022/ 2023.

Kujt ia dedikon golat dhe fitoret që ke arritur me këtë skuadër?

Familjes sime, miqve të mi që më qëndrojnë pranë në ditët e mira dhe të vështira, si dhe të gjithë njerëzve të Rrogozhinës.

Ku e sheh veten pas disa vitesh?

Nuk kam menduar ende për këtë. Jam i ri, kujdesem për trupin dhe shëndetin tim. Shpresoj të luaj edhe shumë vite dhe të shijoj futbollin në maksimum. E dua atmosferën, sfidat dhe emocionet që ky sport sjell.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL